Transmetuar më 25-09-2018, 22:40

Shqipëria ka humbur 2 pozicione në indeksin global të lirisë ekonomike, të publikuar çdo vit nga instituti prestigjioz “Fraser”, ndër më tët specializuarit në nivel global për lirinë ekonomike.

Këtë vit Shqipëria renditet e 34-ta, ndër 162 vende të botës, nga vendi i 32-të i vitit të kaluar. Pavarësisht rënies në renditje, vendi ynë vijon të mbetet i pari në rajon në këtë drejtim.

Të dhënat në raport i referohen vitit 2016. Sipas televizionit Scan, Pikëzimi ndërkohë është i njëjtë me atë të raportit të kaluar, çka do të thotë se Shqipëria ka humbur vende vetëm si pasojë e përmirësimit më të madh të shteteve të tjera.

Indeksi i përgjithshëm përllogaritet mbi bazën e 5 kritereve, ai që shënon performancën më të mirë është nën-indikatori i qendrueshmërisë së parasë.

Monedha vendase duket se është e mbrojtur nga rreziqet e jashtme dhe ato të brendshme çka është në favor të një lirie më të madhe ekonomike.

Nën—indikatori me performancën më të dobët ndërkohë, është ai i sistemit ligjor dhe të drejtës së pronës.

Në këtë drejtim Shqipëria lë shumë për të dëshiruar.