Transmetuar më 29-09-2018, 13:53

“E para ishte fjala”, me këtë aksiomë biblike nisi historia e “A show”, një ide e projektuar nga moderatori i njohur Adi Krasta për “Top Channel”, por që u konkretizua 6 vite më parë me një show të bujshëm në Pallatin e Kongreseve. Pas shkëputjes nga ekrani, Adi Krasta rikthehet me “A në News 24” pa ngjyrat e spektaklit, pasi në qendër do të jenë fjala dhe aktualiteti.

Në 30-vjetorin e karrierës së tij në televizion, Krasta rrëfen veten, marrëdhënien me kohën që ikën dhe vjen, audiencën, qëndrimin ndaj pushtetit politik, apo paratë… Si një shpirt rebel dhe i ndjeshëm nuk heziton të ngrejë zërin për gjithçka që s’shkon në këtë vend në monologjet e tij. Për “Panorama Plus” ai na zbulon Krastën e ekranit dhe atë jashtë tij…

Dihet që ju synoni ta mbani lart piacën e shikueshmërisë me programe cilësore dhe me konsumatorë të nivelit të lartë. I ndiqni rivalët tuaj ose më mirë të themi, a keni rivalë në televizion?

Në televizion e radio të gjithë janë rivalë. Kështu janë grupet e punës, pronarët e medias dhe vetëfinancuesit e programeve. Por unë kam filluar punë herët për t’u kushtëzuar nga rivalët. Këto kohë, nga kolegë të cilët i vlerësoj e që bëjnë programe në stacione të ndryshme televizive ose nga kolegë të rinj, një pjesë prej tyre studentë e ish-studentë të mi, po bëhet hapur një trysni që e tejkalon sugjerimin e paqëllimtë, se këtë herë “do të më duhet të ul nivelin e programit për publikun e gjerë”.

Një kërkesë që tani po artikulohet jo vetëm qartë, sa për fat të keq vjen paksa e paturpshme, por indirekt tingëllon edhe si një kërcënim për braktisje të mundshme të publikut të zakonshëm, për të cilin këta miq e kolegë mundohen të më bindin se është vulgar, fshataresk dhe injorant (!!!).

Kjo nuk mund të jetë e saktë. Niveli i kërkuar i medias nuk është referencial me nivelin e supozuar të publikut. Ne jemi profesionistë të medias dhe njohim e kemi mekanizma profesionale për të kuptuar çfarë do publiku, e çfarë i duhet publikut.

Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga modelet mediatike sot të televizioneve në Europë e rreth nesh. Publiku shqiptar nuk mund të bëjë përjashtim sepse do të ishte lajm i keq. Presionit të pretenduar për të argëtuar audiencën e pakulturë nuk mund t’i përgjigjesh duke e zyrtarizuar rrënimin e mëtejshëm të nivelit kulturor të komunikimit publik. E kundërta duhet të ndodhë.

Pyetja është pse publiku normal, ai i ndjeshëm e i mençur, ndihet i mundur e i përmbysur si në ‘44-ën? Përse sponsorët në Shqipëri mbështesin projekte që qëllimisht ulin nivelin për numra shikueshmërie (të dyshimtë), duke qenë të ndërgjegjshëm se për to ekziston sot një mbingopje neveritëse?

Është momenti ndoshta që shikuesi të dijë të reagojë e të mbrojë programet që i dedikohen atij. Ose të pranojë produktet televizive që njëkohësisht i përçmon, ose të bëhet pjesë e promovimit të cilësisë. Në televizion e radio nuk është ende koha për rënie.

Në intervistat që zhvilloni në studio, bie në sy fakti që jeni dëgjues shumë i vëmendshëm. Është e vërtetë që intervistoni vetëm personazhe të shijeve tuaja dhe cila është gjuha e trupit tuaj në rastet kur personi që keni përballë nuk hyn ndër të preferuarit?

Ka në fakt një konstante personale kur zgjidhen të ftuarit. Një subjektivitet të pashmangshëm. Por sidomos në intervistat për aktualitetin, ndryshe nga ato me theks artistik e zbavitës, në studio vijnë dhe duhet të vijnë njerëz ndaj të cilëve jo domosdoshmërisht ke simpati të madhe. Kam qenë gjithmonë i hapur të ftoj në programe specialistë të mirë të fushave të tyre, të cilët nuk kanë patur simpati për mua. Ky do ishte ai momenti kur marrëdhënia është profesionale dhe jo personale.

Çfarë do u thoni personave që mund t’ju kritikojnë në lidhje me monologjet ku shigjetoni probleme apo pushtetarë?

Pas një kohe kaq të gjatë në komunikimin publik them se nuk është më dramë personale kur ka kritikë, antipati apo edhe urrejtje. E marr në konsideratë ekzistencën, pikëpamjen ose vuajtjen e tyre. Ndërkohë, e gjithë përulësia, mirënjohja dhe dashuria e plotë u drejtohet atyre që më mbështesin pa bërë gjykim gijotine. Pra, është një marrëdhënie më e qartë se ç’duket nga larg.

Mustafa Nano po ashtu e nis emisionin e tij në një tjetër televizion me një monolog. I ke dëgjuar, si të duken dhe mendon se ju ka kopjuar idenë?

Hapjet e programeve televizive e radiofonike kanë qenë gjithmonë kështu. Aty mesazhi theksohet për të qartësuar mundësisht atë që do ndodhë në minutat në vazhdim apo për të bërë publik një qëndrim. Qëllon shpesh që drejtuesi i një programi të ketë diçka të veçantë për të thënë dhe hapja shkon më e gjatë. Në rastin tim, nuk është një dëshirë për t’u imponuar ose për të shitur mend.

A ka qenë e vështirë të ruani profilin tuaj të moderimit gjatë këtyre viteve? Si punoni me veten jashtë kamerave?

Nëse e kuptoj mirë pyetjen tuaj, profili i prezantimit radio-televiziv është ai që është përcaktuar shumë herët në jetë. Është i dallueshëm dhe i pandryshueshëm. Por gjatë jetës së gjatë profesionale ky stil mbështillet me vetëpërmbajtje, sens mase, maturohet me informacion, analizë.

Cilët kanë qenë të ftuarit përballë jush, që me të vërtetë ju kanë lënë mbresa të veçanta?

Intervista është gjini gazetareske shumë intriguese. Vetë fuqia e pyetjes shpesh vendos fatin e bashkëbisedimit. Shumë të ftuar më kanë lënë mbresë. Lista do të ishte e gjatë.

Si një personalitet televizioni me shpirt rebel, realisht, ju intereson se çfarë mendojnë njerëzit për ju?

Patjetër që më intereson. Por nuk e jetoj jetën duke mbajtur mbi shpatulla peshën e asaj që mendojnë për mua si profesionist. Afro 120 vjetët e fundit është analizuar dhe pranuar gjerësisht se çfarëdo të bëjë një njeri për t’i pëlqyer të gjithëve, rezultati është tjetër. Thënë kjo në përcaktimin tuaj, me shumë dëshirë do kisha ndryshuar këndin. Kam patur një shtysë të papërkulur për të fituar jo pëlqimin e të gjithëve, por lirinë time të të menduarit dhe të shprehurit dhe për këtë shkak reagimet “kundër” kanë qenë të pritshme. Kjo, siç e thashë, është një betejë dhe zgjat sa jeta. Pyeteni Bob Woodward ç’ka thotë për këtë betejë!

Nëse i rikthehemi largimit nga “Top Channel” me mbylljen e kontratës më herët, e komentuat si një “ndarje prej gentleman-i”, pasi jeni i ndjeshëm për lirinë e fjalës dhe të ftuarit. Me Ben Blushin drejtues do të kishte qenë më ndryshe dhe a është e mundur që ta provosh lirinë absolute në televizionet shqiptare?

Ajo që po ndodh dita-ditës në “TCH” është e kuptueshme dhe e parashikueshme. Nuk jam i çuditur me zhvillimet aty, siç e gjej të shpjegueshme dramën që ka përfshirë televizionet shqiptare sot, të cilat nuk vuajnë vetëm mungesën e lirisë.

Ju nuk latë pa përmendur një monolog tuajin që u hoq nga “Youtube”, pasi siç jeni shprehur “ishte për njerëzit që rrinë në dhomat e qeverisë dhe sulmojnë online të gjithë njëkohësisht”. Çfarë ndodhi me atë monolog?

Hapja e programit të fundit në “Top Channel” u hoq nga “Youtube” brenda 24 orësh. Ky është fakt që nuk trazoi kënd, përveç ndonjë institucioni ndërkombëtar. Asnjë njoftim, asnjë arsye e artikuluar. Programi nuk gjendet as sot. Për shumë mund të jetë vetëm një episod. Për mua jo! Politika nuk ka tërhequr kurrë interesin tim në mënyrë pasionante, por si qytetar e si njeri i medias i ndjek ngjarjet politike me vëmendje. Nuk di të them se cilët politikanë kanë besimin tim, por di se ata që nuk kanë besimin tim, e turbullojnë këtë vend.

Si një opozitar ndaj politikëbërjes në Shqipëri, a mund të veçoni politikanët që mund të kenë besimin tuaj?

Minimumi që mund të bëj është t’i dyshoj motivet e tyre. Nëse i kundërshtoj, këtë e bëj vetëm parimisht. Natyrisht, nuk mëtoj për t’i urryer me pasion. Më mjafton të kuptoj saktësisht çfarë ndodh në segmentin e errët të sjelljes së tyre.

Këtë periudhë i jeni bashkuar edhe kauzës kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Nëse do të ishit për një ditë ministër Kulture, çfarë do i sugjeronit Kryeministrit në lidhje me këtë kategori artistësh?

Çka po ndodh me Teatrin është ndër më të shëmtuarat ngjarje për të cilat nuk do të kisha dashur të isha dëshmitar. Protesta për mbrojtjen e tij, ndër lëvizjet më të bukura e të qenësishme që ka parë ky vend. Pa asnjë rezervë e mbroj atë kauzë si të shumtët qytetarë të Tiranës. Kurajë e madhe të mbrosh e të luftosh për të kundërtën!

Mendoj se do konsiderohet një palaçollëk historik. Është një palaçollëk historik dhe kaq sa ka ndodhur. Aty zbërthehet germë për germë, në fakt, gjithë filozofia e qeverisjes së këtyre viteve, nëse kërkon ta kuptosh.