Transmetuar më 02-10-2018, 10:49

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani reagon lidhur me rastin e Xhisiela Malokut, e cila denoncoi për dhunë ish-të dashurin e saj Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja.

Sipas tij nuk kishte asgjë çudi në shfaqjet publike të vajzës, por se ajo është prova më e fortë publike, ku të gjithë mund të shohin dhunën e egër e vazhduese të të fortëve me pushtet.

Manjani thotë se ajo u tërhoq pa kaluar 24 nga denoncimi për të shpëtuar e gjallë.

“Ndaj sot dy muaj më vonë nuk mund të rikthehet tek denoncimi, për të njëjtën arsye. Kush ja pa hajrin denoncimit xhanëm?! Askush! Kush denoncon e ha! Sa gra u vranë se guxuan… Kush e denoncoi pushtetin dhe ja doli mbanë? Askush! Atëherë përse duhet ta bënte Ajo?! Ja, pra polici që nuk e besoi tërheqjen e kallëzimit dhe nuk i hapi rrugë dhunës iku! Nuk e mbrojti askush para kërcënimit dhe iku me gjithë familje!”, shkruan Manjani.

Ish-ministri thotë se denoncoi por u shpall horr dhe u dënua me ndjekje këmba këmbës, ndaj shton se nuk ka se si vajza e pambrojtur të jetë më trime apo më e fortë.

Sipas tij, kjo është një ngjarje që tregon përmbledhtas se çfarë ndodh kur dhunohesh nga të fortët me pushtet.

Po ashtu ai shprehet se ndërkohë pushteti propagandon fort “dajakun që ka dalë nga xheneti!!!”

Manjani e mbyll qëndrimin e tij duke thënë, “Sipas pushtetit, vajza e “ka qejf vetë dhunën”; djali trajtohet si të tjerët ndaj e fusim në burg sa për ti bërë qejfin dynjasë; polici (denoncuesi) është një horr; pushteti është i fortë; opozita është fajtore!!! Kjo quhet Mafie!” /a.y/noa.al