Transmetuar më 02-10-2018, 14:23

Në vitin 2007 jeta e Charity Lee, një grua amerikane në Texas ndryshoi në mënyrë radikale. Në atë kohë gruaja kishte dy fëmijë, Paris 13 vjeç dhe Ella 4, por një ditë shkurti policia u paraqit në restorantin ku ajo punonte, për ti dhënë një lajm të kobshëm.

Vajza e saj 4 vjeçe kishte vdekur dhe përgjegjësia binte mbi djalin e saj. Që nga ajo ditë Charity Lee e kaloi gjithë jetën duke treguar historinë e familjes së saj, në mënyrë që ajo që ndodhi me të, të mos ndodhë kurrë më.

“Paris dukej se e donte shumë, e adhuronte të motrën”, tha gruaja për BBC, duke treguar ngjarjen. Charity Lee solli në jetë fëmijën e saj të parë Paris kur ishte 18 vjeçe dhe kishte varësi nga droga. Tregoi se nuk kishte ndjerë kurrë një dashuri më të madhe se sa për foshnjën që mbante në bark. Ndërsa Ella erdhi në jetë nëntë vite më vonë.

“Paris dukej një fëmijë shumë normal, por teksa e rimendoj ndoshta nuk kam ditur të kuptoj disa sinjale, të cilat në atë periudhë më dukeshin normale”, shpjegon ajo, duke treguar një sherr që kishte pasur me kushërinjtë e tij.

Ai i kishte kërcënuar të afërmit me një thikë në dorë, ndaj e shqetësuar gruaja e çoi djalin në spital, por mjekët i thanë se çdo gjë ishte mirë. Ndërkohë në 4 shkurt të vitit 2007 u konsumua tragjedia. Paris e kishte bindur dadon që të largohej më herët, ndërsa më pas kishte hyrë në dhomën e së motrës, kishte abuzuar seksualisht me të, e kishte rrahur, mbytur dhe më pas e kishte qëlluar 17 herë me thikë.

Pas krimit, ndërsa nëna ishte ende në punë 13-vjeçari kishte telefonuar një mikun e tij, kishte folur me të për disa minuta dhe vetëm pak më vonë kishte lajmëruar ndihmën e shpejtë, shkruan noa.al.

Djali u dënua me 40 vite burg pak kohë pas krimit. “Doja të vdisja, por nuk mundesha, në fund të fundit ishte ende djali im”. Paris u diagnostikua nga mjekët nga një çrregullim personaliteti. Ndërkohë gjatë marrjes në pyetje në polici ai deklaroi se kishte dëgjuar “djallin”, por më tej në kompjuterin e nënës u gjetën prova se si ai kishte kërkuar mënyra për të vrarë motrën.

Gruaja shton më tej se, “Më pyesin se pse shkoj ende ta takoj. Por dashuria ime është pa kushte. Nuk kam reshtur në asnjë moment së dashuri tim bir, edhe pse e urrej atë që ka bërë”. Charity ka hapur një fondacion me emrin e së bijës, për të ndihmuar viktimat e krimeve që vuajnë nga çrregullimet e personalitetit. /a.y/noa.al