Transmetuar më 02-10-2018, 14:38

Qendra rajonale për inovacionin dhe kërkimin në fushën e teknologjisë, pjesë e rrjetit të qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror, do të vendoset në Tiranë. Lajmin e njoftoi Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në takimin “Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor” në Gjenevë të Zvicrës.

Ai tha se dialogu strategjik i organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror i Davosit është në vazhdën e një procesi të nisur në Davos, ku së bashku u dwkordwsua për të vijuar më tutje.

“Faktikisht, sot, ne kemi pasur një takim të frytshëm, jo se kështu thuhet zakonisht, por sepse janë marrë disa vendime konkrete. Ndër to, unë kam kënaqësinë të informoj se është vendosur që qendra e afiluar e të ashtuquajturit revolucion i katërt industrial do të jetë në Tiranë, qendra rajonale që do të shërbejë si një pikë referimi për inovacionin, për kërkimin në fushën e teknologjisë dhe do të jetë pjesë e rrjetit të këtyre qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror në San Francisco dhe në vende të tjera, që do të sjellë një vlerë të shtuar, besoj, në një proces ku Shqipëria dhe rajoni kanë hyrë, që është procesi i digjitalizimit dhe i inovacionit,” u shpreh Kryeministri Rama.

“Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor” pati si fokus nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve. /a.y/noa.al