Transmetuar më 04-10-2018, 12:46

Rreth 18% e familjeve shqiptare që jetojnë në qarqet Dibër, Gjirokastër, Lezhë dhe Shkodër, patën konsum familjar mujor nominal më të ulët më 2017 se sa e kishin në vitin 2014, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave.

Familjet në Dibër kishin konsum mesatar mujor prej 67 mijë lekësh në vitin 2014 ndërsa në vitin 2017 konsumi i matur nga Anketa e Buxhetit të Familjes të INSTAT ishte pak më shumë se 47 mijë lekë në muaj. Konsumi i familjeve në Dibër ka rënë me 29% në këtë periudhë katërvjeçare dhe ky është rrethi me rënien më të lartë të konsumit në vend. Në Dibër, sipas vlerësimeve të INSTAT jetojnë 121 mijë banorë ose 4.4% e popullsisë së Shqipërisë.

Rrethi i dytë me rënie të konsiderueshme në konsum është Gjirokastra. Në vitin 2014, një familje gjirokastrite jetonte me mesatarisht 74 mijë lekë në muaj ndërsa në vitin 2017 konsumi mesatar ra në 62 mijë lekë ose 16% më pak.

Familjet e qarkut Lezhë, ku përfshihen edhe Mirdita e Kurbini, kishin konsum prej afro 79 mijë lekë në vitin 2014 ndërsa konsumi i tyre ra në 73 mijë lekë vitin e kaluar me një rënie prej 7.3%.

Qarku Shkodër kishte konsum në masën 76,500 lekë për familje katër vjet më parë ndërsa konsumi ra në 73,300 lekë më 2017 me një rënie prej 4.2%.

Të tetë qarqet e tjera të vendit njohën një rritje të konsumit përgjatë kësaj periudhe ku rritja më e madhe u shënua në qarqet Korçë, Berat, Durrës e Kukës.

Familjet në Tiranë, qarku ku jeton 31% e popullsisë së Shqipërisë ose 884 mijë banorë, patën më 2017 konsum mesatar prej 7.7% më të lartë se sa më 2014.

Shqipëria është një vend i pabarabartë sa i përket konsumit sipas qarqeve. Ndërsa konsumi mesatar i familjes në nivel kombëtar ishte në masën 74,400 lekë në vitin 2017, në Tiranë konsumi ishte sa 120% e mesatares kombëtare ndërsa Dibra ishte qarku më i varfër me konsum sa 65% e mesatares. Elbasani është qarku i dytë më i varfër në vend me konsum familjar sa 79% e mesatares kombëtare, pasuar nga Vlora në masën 80%.

Anketa e Buxhetit të Familjeve kryhet nga Instituti i Statistikave çdo vit përmes anketimit të rreth 7 mijë familjeve në të gjithë vendin. Ndonëse konsumi është i shprehur në lekë, një pjesë jo e vogël e konsumit të familjeve siç raportohet nga INSTAT nuk blihet me para. Duke qenë se Shqipëria është një vend ku rreth 40% e popullsisë jeton në zonat rurale, INSTAT mat si konsum dhe i jep një vlerë monetare edhe mallrave të prodhuara nga familjet fermere për të mbuluar nevojat e veta. Kështu, ndonëse në Dibër konsumi mesatar i familjes llogaritet në masën 47 mijë lekë në muaj, këtu përfshihen edhe të gjitha produktet bujqësore që fermerët e zonës i konsumojnë vetë, shkruan ‘Birn’.

INSTAT raporton të dhënat e konsumit në vlerë nominale. Kjo do të thotë se për të matur mirëqenien reale të familjeve, nevojitet që ndryshimit në përqindje të konsumit minimal t’i heqim normën e inflacionit.

Shqipëria ka njohur një rritje anemike të konsumit të familjeve përgjatë të gjithë dekadës së fundit. Në krahasim me vitin 2007, konsumi mesatar i familjeve është rritur në vlerë nominale me vetëm 5.8%, ku familjet që jetojnë në Dibër, Durrës, Elbasan dhe Gjirokastër patën më 2017 konsum më të ulët se sa e kishin një dekadë më parë.