Transmetuar më 06-10-2018, 21:37

Ideja e çamçakëzit të kujtesës, i lindi një studenti pas një aksidenti me makinë dhe ai gjeti mënyrën sesi ta bënte realitet.

“Gomës së përtypshme” i janë shtuar përbërës ushqimor që ndihmojnë punën e trurit dhe ky është sekreti.

Ideatori i startupit të suksesshëm të ngritur në Milano, është 28-vjeçari, Giorgio Pautrie.

Sipas Business Magazine, pas përplasjes nga një makinë, ai kishte pësuar dëmtime të shumta, por me vullnet iu rikthye librave që të përfundonte shkollën e lartë. Ai kishte mjaft vështirësi, ndaj për të shtuar përqëndrimin e forcuar kujtesën përdorte integratorë, pije energjike e shumë kafe.

Por, një mjek i tërhoqi vëmendjen duke e paralajmëruar se kombinime të tilla mund të ishin të rrezikshme dhe se duhej gjetur një formulë e përshtatshme. Ai i kishte sugjeruar një përzierje prej rreth 15 përbërësish, që duhej mbajtur një minutë nën gjuhë.

“Kishte shije të tmerrshme, prandaj mbaja në gojë edhe një çamçakëz”, thotë Giorgio.

Pikërisht këtu lindi ideja e bashkimit të dy përbërësve dhe efekti ishte i qartë. Brenda një viti ai dha 23 provime, bashkë me tezën e diplomës, që normalisht duhej t’i mbyllte në 2 vite e gjysmë.

“Mind The Gum” është realizuar me produkte që nxisin kujtesën, që ndihmohen në aktivizimin e tyre edhe nga procesi i përtypjes.