Transmetuar më 09-10-2018, 20:02

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për çështjen ‘Babalja’. Në vendimin e gjykatës të siguruar "BalkanWeb" pasqyrohen dëshmitë e Fredi Alizotit, për të cilën u kërkua nga prokuroria masa ‘arrest me burg’, masë që u caktua edhe për Albert Veliun.

Ky i fundit është cilësuar si ‘dëshmitari X’, në audiopërgjimin e publikuar nga PD, ku implikohet vëllai i ministrit Xhafaj, Agron Xhafaj në pazare droge.

Në vendimin e zbardhur thuhet se Jetmir Olldashi nuk dorëzoi përgjimin origjinal, ndërkohë që motivet që i shtynë të hetuarit për ‘kallëzim të rremë’ janë të ndryshme. Sipas vendimit të Gjykatës, motivi i Olldashit lidhet me denigrimin e figurës së ministrit Xhafaj, ndërsa Veliu kërkonte të përfitonte azil për vete dhe familjarët.

“Motivet që i shtynë të hetuarit në kryerjen e veprës penale të ‘kallëzimit të rremë’ rezultojnë të ndryshëm. Për të hetuarin Olldashi me profesion gazetar dhe me lidhje të ngushta të një prej deputetëve të krahut opozitar, dyshohet se motivi lidhet me denigrimin e figurës së ministrit të Brendshëm.

Qëllimi i investigimit të tij, sikurse iu pohoi drejtuesit të emisioni të ‘Pa Ekspozuarit’ ishte vëllai i ministrit të Rendit, ndërsa materiali u përgjuar nëse do ishte i vërtetë, do të duhej ta dorëzonte në organet e ndjekjes penale dhe jo në selinë e një force politike. Për të hetuarin Veliu, motivi dyshohet se lidhet me qëllimin për të përfituar për vete dhe për familjarët azil”, thuhet në një pjesë të vendimit.

Po ashtu në vendimin e gjykatës thuhet se tre të pandehurit realizuan inskenimin, ndërsa pas dështimit shkruhet se ata përdorën Fredi Alizotin. Sipas vendimit të Krimeve të Rënda, Alizoti ka me ngjashmëri zëri me Agron Xhafajn.