Transmetuar më 09-10-2018, 21:24

Pasi rezultoi se ishte përmendur në dosjen e hetimit ‘Babalja’ Erzen Breçani ka thyer heshtjen.

I ftuar në emisionin ‘Dritare me Rudinën’ i cili startoi sot në “News24”, Breçani pohoi faktin se ishte thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi ishte përmendur në audio-përgjimin e publikuar nga PD, ku implikohet vëllai i Xhafajt në pazare droge.

Sipas Erzen Breçanit ‘Babalja’ ishte për të përfituar azil politik, ndërsa shtoi se e kishte marrë në telefon kunati i ‘Babales’ dhe i kishte kërkuar takim.

“Është e vërtetë që jam thirrur nga prokurori i Krimeve të Rënda për këtë ngjarje. Kam marrë një telefonatë para dy tre muajsh. Më është prezantuar një person si kuanti i Babales.

“Jam kunati i Babales” tha. ‘Dua të rrëfej për diçka që të flasim nga afër’, tha. Më tha; ‘dua dhe 4 mijë lekë borxh se skam ku të fle’. E pyeta se; ‘pse nuk shkon të flesh në shtëpinë tënde në Fier’. Ai përmendi edhe azilin politik. Unë i thash se nuk duhet të merrej me këtë çështje.

Në prokurori jam thirrur dhe para një muajsh, nuk kisha folur me askënd. Pyeta prokurorin dhe i thash; pse e keni nxjerr këtë, se unë e njoh hetimin”, tha Breçani.