Transmetuar më 10-10-2018, 10:50
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, del me deklaratë dhe thotë se nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti.

“Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye e pavërtetë. Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë  e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera”, thuhet në qëndrimin e kryepolicit.

Po ashtu me përgjegjësi publike deklarohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”.

Nënvizohet se edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohë do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë, ose gjykatës.

“Me këtë rast bëjmë me dije publikisht se në lidhje me çështjen hetimore të sipërcituar Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim procedural me iniciative të vetë, por në çdo rast ka vepruar kur ka patur urdhërime të prokurorisë, ose të gjykatës”, thuhet më tej.

Po ashtu deklarohet se në këtë kuadër edhe shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes dhe se ky veprim procedural është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

“Jemi të hapur që prokuroria ta hetojë edhe këtë aspekt në detaje në kuadrin e procesit hetimor që ajo po kryen për këtë çështje”, thuhet në mbyllje të qëndrimit.

Kjo deklaratë vjen pas publikimit gjatë mbrëmjes së djeshme të një video nga ana e deputetit demokrat Ervin Salianji, ku pretendohet se Alfred Alizoti, është kërcënuar nga Ardi Veliu.

Në pamjet e transmetuara, Alizoti pretendohet se nuk e di se po regjistrohet dhe thotë se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin e mazhorancës, lidhur me audio-përgjimin, ku vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, përflitet si i përfshirë në trafik droge.

“Je me ne apo me ata”, mendohet ti ketë thënë Veliu, Alfred Alizotit.

Ky i fundit thotë se e ka takuar edhe Taulant Balla me dy persona të tjerë. Ai rrëfen se si po i bëhej presion që të pranonte se ishte ai që kishte folur si Agron Xhafaj në bisedën me Babalen, i etiketuar ndryshe si “aktori”

Alredi Alizoti, cilësohet nga Prokuroria se personi që interpretoi interpretoi zërin e Agron Xhafajt, i etiketuar nga Kryeministri Edi Rama si “aktori”. /a.y/noa.al