Transmetuar më 10-10-2018, 11:05
Enrik Sulejmani

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, është shkarkuar nga detyra.

Shkarkimi i tij vjen pasi ka refuzuar të transferojë nga spitali privat ku kurohej në atë të burgjeve, të plagosurin e masakrës së 4 tetorit në ish-Bllok, Ervis Martinaj.,

Gjithashtu janë kallëzuar edhe punonjësit e spitalit privat, që penguan transferimin e Martinaj.

Ervis Martinaj, një nga të plagosurit e masakrës së ndodhur të enjten e kaluar në zonën e ish-Bllokut ku një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën, është transferuar drejt spitalit të burgut në orët e vona të mbrëmjes së të martës.

Ndërsa prej ditë kurohej në një spital privat në kryeqytet, mjekët fillimisht nuk kanë firmosur transferimin, teksa policia kërkonte të ekzekutonte vendimin e Gjykatës së Tiranës.

Madje mes mjekëve dhe policisë ka pasur debate, sa që zv.ministri i Brendshëm, Stefan Çipa i paralajmëroi efektivët me masa ndaj tyre për mos zbatim të detyrës.

Pas kësaj situate dhe këmbënguljes së policisë së Burgjeve, Martinaj është larguar me dëshirën e tij nga spitali privat drejt atij të burgut.

Në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.

Uniformat blu kanë bërë arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim Ervin Mata, 31 vjeç, Fabio Allushi, 42 vjeç dhe Merviol Billo, 41 vjeç, banues në Tiranë. Mata është i dashuri i këngëtares Elvana Gjata dhe konflikti dyshohet se ka lindur pikërisht pas një ngacmimi ndaj këngëtares. /a.y/noa.al

I plagosuri i masakrës në ish-Bllok transferohet në spitalin e burgut