Transmetuar më 10-10-2018, 13:14

Do të mbyllen apo jo kazinotë dhe pikat e basteve, kjo është çështja.

Por duket se Edi Rama nuk i ka dhënë karar, sepse deklarimet e tij dje dhe sot janë kontradiktore.

Komunikimi me mediat dje, i Kryeministrit Edi Rama, bërë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, u përqendrua në luftën ndaj krimit dhe dukurive sociale të lidhura me të, duke u ndalur dhe te lojërat e fatit.

Fillimisht z.Rama tha se në mbledhjen e qeverisë u mor vendimi për ‘mbylljen jo vetëm të kazinove elektronike, por edhe të basteve sportive në zonat e banuara’.

Kjo do të thotë qartësisht, se nuk ndalet aktiviteti i basteve dhe kazinove, por bëhet zhvendosja e objekteve fizike të tyre nga zonat e banuara në zona që asgjë nuk dihet (!) dhe për më tepër, zor se gjen në 28748 km katrorë të Shqipërisë, zona të pabanuara.

Pak minuta më pas, Rama pati kontradiktën e parë brenda një daljeje publike, kur tha se ‘duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike’, pa specifikuar zhvendosje të tyre, por veç mbyllje definitive. Këtë pohim Rama e përforcoi kur shtoi se ‘ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare’, – duke theksuar se ‘ky është një lajm që të gjitha familjet shqiptare do ta presin me kënaqësi’.

Rama e cilësoi si marrëzi kombëtare, përhapjen skandaloze të kazinove dhe pikave të basteve në Shqipëri.

Kurse më tej, ishte sërish kontradiktor, kur iu rikthye planit thjesht për zhvendosje, teksa tha: ‘Në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katror të Republikës së Shqipërisë’.

Sakaq, sot, në një tjetër deklaratë që bëri publike, z.Rama ishte sërish kontradiktor, kur tha se ‘bastet dhe kazinotë elektronike do të dalin jashtë ligjit në 31 dhjetor’, – duke pështjelluar edhe një herë qytetarët që duan të dinë se çfarë do të ndodhë në të vërtetë më 31 dhjetor, do të ketë apo jo më, kazino dhe pika bastesh në Shqipëri, apo do të ketë vetëm zhvendosje të tyre në zona ‘X’.

Por çfarë do të ndodhë natën e ndërrimit të viteve?

A do të mbyllen kazinotë?

Nëse po, vetëm ato elektronike, apo edhe njësitë me lojëra fati joelektronike si ruleta ruse, zaret dhe letrat, lojëra që gjenden në kazinotë kryesore të vendit?

Po pikat e basteve?

NOA.al kërkoi një informacion zyrtar nga ministria e Financave dhe konfirmoi se duke nisur nga data 1 janar 2019, do të pushojë tërësisht aktiviteti i pikave të basteve në Shqipëri. Kjo do të thotë se nuk do të funksionojë më asnjë dyqan apo lokal fizik me baste, ku në të gjithë vendin numërohen mbi katër mijë të tilla.

Sa për kazinotë, këtu ka një kleçkë.

‘Do të mbyllen në qytete, pra zona të banuara urbane, të gjitha kazinotë elektronike’, – tha për noa.al, Alba Caroshi, përgjegjësja për marrëdhëniet me publikun pranë ministrisë së Financave.

Por kjo nuk do të thotë mbyllje definitive, – vazhdon Caroshi, – pasi ato kanë kohë deri më 31 dhjetor që të gjejnë zona të tjera të lejuara për të zhvendosur aktivitetin e tyre.

Dhe cilat janë këto zona?

NOA.al pyeti zonjën Caroshi në ministrinë e Financave dhe për këtë dhe mori sqarimin e mëposhtëm:

‘Ne presim të miratohet një Vendim i Këshillit të Ministrave për të përcaktuar zonat e lejuara jashtë atyre të banuara. Një VKM e tillë ende nuk ka dalë’.

I njëjti burim qartësoi se bazuar në dokumentet ligjore, zona të pabanuara konsiderohen ato përbri rrugëve nacionale apo autostradave, etj.

Ndërkohë, ligji i ri që ka miratuar shteti shqiptar, u jep të drejtën hoteleve me pesë yje që të kenë kazino me lojëra elektronike në mjediset e tyre. /noa.al/