Transmetuar më 10-10-2018, 12:48
Foto ilustruese

Një vajzë e re është shpëtuar në fije të perit pak pa kaluar kufirin, teksa do trafikohej drejt Greqisë si prostitutë.

Si i dyshuar për ngjarjen pasditen e djeshme u bë arrestimi i 22-vjeçarit Xhoni Qëndraj, banues në lagjen “Partizani” Vlorë.

Ndalimi i tij u bë nga policia e Sarandës mbi bazën e kallëzimit të bërë nga 17-vjeçarja F.A., banuese në Vlorë, e cila ka deklaruar se Qëndraj e kishte marrë atë nga Vlora me qëllim për ta trafikuar në shtetin grek.

Në momentin e konstatimit dhe kapjes së të riut në Pikën e Kalimit Kufitar Sarandë, Qëndraj ka bërë rezistencë duke mos iu bindur shërbimeve të policisë me qëllim që të kalonte kufirin bashkë me adoleshenten që kishte marrë me vete.

Noa.al mëson se dy të rinjtë kishin qenë të lidhur dhe se gjatë rrugës për në kufi e reja, kishte kuptuar qëllimet e 22-vjeçarit.

Kështu ajo tha në polici pas ndalimit dyshimet e saj, duke çuar në arrestimin e të riut.

Gjithashtu, Xhoni Qëndraj është një nga bashkëpunëtorët në lidhje me operacionin “Four” më 3 tetor, ku u dokumentuan 10 vjedhje.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, për veprat penale “Trafikimi i të miturve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. /a.y/noa.al