Transmetuar më 10-10-2018, 14:16

Deputeti demokrat Ervin Salianji është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar.

Dëshmia e tij do të jepet ditën e premte, pas sekuestrimit të një video të publikuar prej tij mbrëmjen e së martës.

Në video, shfaqej një person i quajtur Alfred Alizoti, i cili deklaron se është takuar me Taulant Ballën dhe se është shoqëruar në Prokurori, nga kreu i policisë Ardi Veliu.

Ky zhvillim vjen pas publikimit të videos ku sugjerohet se Alfred Alizoti, është kërcënuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në audion dhe pamjet e transmetuara, Alizoti thotë se nuk e di se po regjistrohet dhe deklaron se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin që i shkon për shtat mazhorancës.

“Je me ne apo me ata”, sugjerohet t’i ketë thënë kryepolici Veliu, Alfred Alizotit.

Ky i fundit thotë se e ka takuar edhe Taulant Balla me dy persona të tjerë.

Alfred Alizoti rrëfen se si po i bëhej presion që të pranonte se ishte ai që kishte folur si Agron Xhafaj në bisedën me Babalen.

Ai, cilësohet nga Prokuroria si personi që interpretoi zërin e Agron Xhafajt.

Alizoti është etiketuar nga Kryeministri Edi Rama si “aktori”.

Dëshmia e Bashës/ Sakaq po të premten është thirrur për të dëshmuar edhe kryedemokrati Lulzim Basha, por për një tjetër çështje.

Ai do të dëshmojë pas kallëzimit të bërë nga deputeti socialist Taulant Balla për shpifje dhe fyerje.

Dëshmia tij do të merret lidhur me rastin e ish-oficerit, Emiljano Nuhu, personi që mori dëshminë e Xhisiela Malokut.

Opozita pretendon se Balla ka qenë në komisariat gjatë kërcënimit që i është bërë Emiljano Nuhut.

Oficeri që denoncoi rastin e vajzës së dhunuar nga djali i deputetit Rrahman Rrahja, pretendon se Taulant Balla ishte prezent në komisariatin e Krujës kur ai pretendon se është kërcënuar me pistoletë në kokë nga vëllai i deputetit, për të mos arrestuar të dyshuarin Rexhep Rraja. /a.y/noa.al

Krimet e Rënda sekuestrojnë videon e Alizotit, pritet marrja në pyetje e Salianjit