Transmetuar më 10-10-2018, 17:34

5 vjet nga vrasja e biznesmenit të ndërtimit Plarent Cani, në zonën e plazhin e Durrësit, babai i tij Bajram Cani vazhdon të kërkojë drejtësi, për të parë pas hekurave autorët e krimit.

“Të gjendet vrasësi, kërkoj hetuesi speciale. Unë kam fakte, i kam shkruar të gjitha instancave, çfarë shteti është ky? Ka 5 vjet, kam bërë disa kërkesa, nuk kam marrë asnjë përgjigje”, është shprehur mes lotëve babai i Canit në një intervistë për Balkanweb.

I ati i biznesmenit, Bajram Cani shprehet i shqetësuar pasi sipas tij asnjë instancë shtetërore nuk ka bërë asgjë për të zbardhur ngjarjen ku iu vra i biri, baba i tre fëmijëve të mitur.

Me katër plumba 2 në kokë, e dy në zemër, u vra biznesmeni i ndërtimit Plarent Cani gjatë një atentati të mirëorganizuar.

Ngjarja ndodhi me 2 shtator të vitit 2013 rreth orës 8 e 30 të mëngjesit, në sektorin Teuta në plazhin e Durrësit, pak metra larg prej themeleve të një pallati që po ndërtohej nga biznesmeni.

2 persona të maskuar që lëviznin me motor e kanë qëlluar me pistoletë biznesmenin dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.

Pista kryesore e hetimeve ishte për larje hesapesh për shkak të së kaluarës së tij në shtetin italian, por nuk u përjashtua edhe ndonjë konflikt pronësie për tokën ku po ndërtohej pallati.