Transmetuar më 11-10-2018, 08:43

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Precious”, ka zbardhur shtatë raste vjedhjeje kasafortash, vlerash të mëdha parash dhe sende të çmuara, ngjarje të ndodhura në banesa.

Gjatë tij janë identifikohuar dy autorët e dyshuar të vjedhjeve, persona me precedentë të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Njëri prej autorëve i kapur në flagrancë duke kryer një vjedhje në qytetin e Durrësit, ndërsa autori tjetër shpallet në kërkim nga policia.

Efektivët e komisariatit të policisë Nr.3 pas një pune hetimore disa mujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, arrestuan gjatë kësaj të mërkure Kastriot Xhixha, 42 vjeç, banues në Fushë Krujë i arrestuar në flagrancë duke kryer një vjedhje në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu u shpall në kërkim G. A., 33 vjeç, banues në Fushë Krujë i shpallur në kërkim nga Policia, me precedentë penalë në fushën e vjedhjes.

Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kryenin vjedhje kasafortash e sendesh me vlerë në banesa duke hapur derën kryesore me një mekanizëm të përshtatur për hapjen e çdo lloj dere pa shkaktuar dëmtim të bravës.

Nga puna hetimore e kryer është dokumentuar me prova ligjore se këta shtetas janë autorë të vjedhjeve të mëposhtme:

– vjedhjes së shumës prej 13 000 në euro dhe të një kasaforte në banesën e shtetases Y. S., më datë 11.09.2018 në rrugën Shyqyri Berxolli.

– vjedhjes së disa bizhuterive të çmuara në banesën e shtetasit P. C., më datë 13.08.2018 në rrugën “Reshit Çollaku”.

– vjedhjes së 15 milionë lekëve të vjetra dhe disa bizhuterive floriri në banesën e shtetases Z. D., më datë 21.07.2018 në rrugën “Bogdanët”.

– vjedhjes së disa orave dore floriri dhe bizhuterive në banesën e shtetasit F. Sh., më datë 18.06.2017 në rrugën “Maliq Muço”.

– vjedhjes së 6 milionë e 600 mijë lekë të vjetra dhe 10 000 euro në banesën e shtetases E. Ll., më datë 08.04.2017, në rrugën e “Barrikadave”.

– vjedhjes së 4 500 euro dhe 16 milionë lekë të vjetra në banesën e shtetasit L. Sh., më datë 09.09.2016 në rrugën “Fortuzi”.

-vjedhjes së 50 milionë lekëve të vjetra në banesën e shtetases  N. V., më datë 25.11.2016, në rrugën “Reshit Çollaku”.

Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Sakaq për ndjekje të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al