Transmetuar më 11-10-2018, 09:44

Forca e Ligjit në veprim godet sërish në Fier, një prej “të fortëve” të zonës. Kjo është goditja e dytë brenda dy ditësh, që nga paralajmërimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili njoftoi në një konferencë për mediat, goditjen e të gjithë “të fortëve” në të gjithë Shqipërinë.

Efektivët e policisë së Fierit, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, gjatë kontrollit në një lokal në Zhupan, vunë në pranga Aleksandër Hoxhaj, 37 vjeç, banues në Zhupan, i cili mbante armë zjarri me vete.

Ai ishte shpallur në kërkim nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”.

Sapo ka parë policinë të hyjë në lokal, Hoxhaj ka hequr armën nga brezi dhe e ka hedhur nga dritarja e lokalit por falë veprimeve të shpejta të policisë u konstatua veprimi i tij dhe u arrestua në flagrancë.

Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën 15 paketime me lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa me peshë 43.5 kilogramë, tre dokumente të falsifikuara, pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti në gjuhën greke me foto të Hoxhaj.

Gjithashtu u gjetën sende të ndryshme të dyshuara që përdoren për kryerjen e vjedhjeve, dy matrapikë, dy leva metalike, një maskë me ngjyrë të zezë, një palë dorashka, një tub metalik që shërben për hapjen e dyerve, një pincë etj.

Gjithashtu u gjetën edhe sende që dyshohen se i ka vjedhur 3 kompjuterë lap-top dhe një kasafortë metalike si dhe 34 fishekë pistolete dhe automatiku.

Sakaq gjatë kontrolleve nga policia u shoqëruan për verifikim 11 persona kryesisht me precedentë penalë të dyshuar për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Vjedhje”. /a.y/noa.al