Transmetuar më 11-10-2018, 10:42

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi, ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, teksa po i nënshtrohet procesit të vetingut.

Xholi njihet si prokurori i dosjeve “të forta”, për shkak se me urdhër të tij janë konfiskuar pronat e Aldo Bares dhe po i njëjti që hetoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Nga verifikimet e ILDKPKI, rezulton se prokurori ka bërë deklarim të saktë dhe nuk ka fshehje pasurie. Ai rezulton me një apartament 107 metra katrorë në Tiranë, të blerë me kredi dhe një makinë prej 4 mijë euro.

Për blerjen e apartamentit ai deklaruar edhe një hua prej 5 mijë eurosh.

Po ashtu ka deklaruar 2 milionë lekë të vjetra kursime si dhe një tokë bujqësore të së shoqes në Lushnje.

Edhe sa i takon pastërtisë së figurës, nuk konstatohet pa përshtatshmëri. Në fjalën e tij para KPK, deklaroi se gjatë aktivitetit të tij ka kërkuar disa dënime me burgim të përjetshëm si dhe “Me urdhrin tim janë sekuestruar disa pasuri të bandave të Lushnjes, Durrësit dhe të grupeve të tjera”.

Rasti i tij po shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Brunilda Bekteshi, Valbona Sanxhaktari dhe Suela Zhegu.

Vendimi për prokurorin Adnan Xholi do të jepet më 16 tetor. /a.y/noa.al