Transmetuar më 11-10-2018, 16:25

Pak minuta pas ngjarjes së rëndë në fshatin Shelli të Matit ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë policia ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit.

Sipas të dhënave nga policia autori i dyshuar është shtetasi Kujtim Koxha, 51 vjeç i cili është shpallur në kërkim dhe forcat e policisë i janë vënë tashmë nga pas për ta kapur dhe arrestuar.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes viktimës, i cili ishte punonjës i bashkisë, kolegëve të tij dhe autorit të dyshuar.

Sipas policisë ky i fundit, "pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri drejt disa personave, në një lokal".

E gjithë ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 14:00, në një lokal në fshatin Shëlli. Viktima është shtetasi Mentor Hoxha, ndërsa të plagosur mbetën shtetasit Astrit Hani, Erzen Alija dhe H. Buçi. Dy të fundit  janë dërguar në drejtim të Tiranës për ndihmë më të specializuar.

Nga veprimet paraprake rezulton se këta persona po punonin për hapjen e një rruge në këtë fshat. Dyshohet se autori është konfliktuar më parë me punonjësit e Bashkisë dhe më pas është larguar e ka marrë armën automatik dhe ka qëlluar në drejtim të tyre në lokal.

Në vendngjarje është sekuestruar arma e zjarrit. Është ngritur një grup i posaçëm hetimi me ekspert të Policisë nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, të cilët po hetojnë këtë ngjarje.

Grupi hetimor gjithashtu ndodhet në vendin e ngjarjes si dhe po sekuestron çdo provë që lidhet me këtë ngjarje. Forca të shumta policore janë në ndjekje të autorit./b.l/noa.al/

Vrasja në Mat me një të vdekur dhe tre të plagosur, në pranga autori i dyshuar