Transmetuar më 11-10-2018, 20:47

Kryetari i Partisë Demokratike e lidh me atë që e quan degradim të shtetit masakrën me tre të vrarë në Shëlli të Matit.

Përmes një reagimi në Facebook, Lulzim Basha shkruan se “ngjarja e sotme është një tjetër dëshmi e përgjakshme e degradimit total të shtetit, e pasigurisë që mbretëron ngado dhe e guximit të banditëve të veshur me pushtet për të kryer një masakër të tillë”.

Viktima të masakrës mbetën Hamit Buçi, Erzen Alija dhe Mentor Hoxha, ndërsa u plagos Astrit Hani.

Sipas policisë, 51 vjeçari "pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri drejt disa personave, në një lokal".

Nga veprimet paraprake rezulton se këta persona po punonin për hapjen e një rruge në këtë fshat.

Dyshohet se autori është konfliktuar më parë me punonjësit e Bashkisë dhe më pas është larguar e ka marrë armën automatik dhe ka qëlluar në drejtim të tyre në lokal.

Në vendngjarje është sekuestruar arma e zjarrit. Është ngritur një grup i posaçëm hetimi me ekspert të Policisë nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, të cilët po hetojnë këtë ngjarje. /k.k/noa.al/

Postimi i plotë i Bashës

“Një ngjarje e tmerrshme ka goditur sot Matin dhe ka trazuar shpirtin e çdo shqiptari. Tre punonjës të bashkisë që po punonin për ndërtimin e një rruge janë vrarë barbarisht me bukë në gojë në fshatin Shëlli.

Në këto momente të vështira jam pranë familjeve të Mentor Hoxhës, Hamit Buçit dhe Erzen Alijës dhe lus Zotin që t’ua lehtësoj sado pak dhimbjen

Po ashtu i uroj shërim të shpejtë të plagosurit Astrit Hani.

Ngjarja e sotme është një tjetër dëshmi e përgjakshme e degradimit total të shtetit, e pasigurisë që mbretëron ngado dhe e guximit të banditëve të veshur me pushtet për të kryer një masakër të tillë”.