Transmetuar më 12-10-2018, 09:11

Në vijim të kontrolleve të befasishme në lokale e akse rrugore për kapjen e personave të shpallur në kërkim, policia e Mallakastrës, Fierit dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë vënë në pranga dy persona të shpallur në kërkim.

Fatmir Merkaj, 26 vjeç, banues në Kutë, Mallakastër, është arrestuar këtë të enjte, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Tentativë vrasje”, për të cilën Gjykata e ka dënuar me 6 vite burgim.

Ai akuzohet se më 20 gusht 2016, në fshatin Kutë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasi me armë zjarri shtetasin T.A., 40 vjeç.

I arrestuari i dytë është Muharrem Saliaj, 65 vjeç, banues në Fier.

Ai u ndalua për llogari të policisë Gjirokastër pasi ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, për të cilën Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”. /a.y/noa.al