Transmetuar më 12-10-2018, 18:28

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar menjëherë pas paralajmërimit të kryeministrit Rama lidhur me paditë në gjykatë për shpifje.

Vasili shprehet se ky kryeministër njihet deri ne Bruksel si shpifës ordiner, duke i kujtuar raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe duke i sugjeruar ironikisht kreut qeveritar shqiptar që t’i padisë këto organizata dhe shtete të huaja për shpifje.

“BE dhe ShBA "shpifin" për drogën dhe krimin, kryeministri ç’pret t’i padisë.Bo bo ç’gajasje kryeministri i Grizeldës po ankohet për shpifje. Ky kryeminister njihet deri në Bruksel si shpifës ordiner dhe sot po flet për shpifje. Lëri dënglat e shpifjeve se u bëre si gratë e liga”, deklaron Vasili.

Më tej ai i kërkon kryeministrit Rama të shkojë të padisë edhe Departamentin e Shtetit, BE, Francën, Gjermaninë se sipas tij "shpifin" për të dhe thonë, “që ti mbush Shqiperinë me krim të organizuar, krim dhe korrupsion".

"Ore kryeminister karnavale mos pyet fare, padite gjithë globin. Kur të lë mendja si puna jote çdo gjë lejohet”.

Më herët kryeministri Rama, deklaroi se së shpejti do të miratohet ligji për shpifjen në Këshillin e Ministrave. Rama tha se çdo shpifje ndaj ministrave dhe deputetëve socialistë do të shkojë në gjykatë dhe jo në studio televizive.

Kreu i qeverisë propozoi disa pika, pas akuzave të shumta që kanë ardhur nga radhët e opozitës për skandalet e fundit që janë kthyer në temë kryesore në vend./b.l/noa.al/

Paketa “Anti-shpifje”, Rama: Paratë e fituara në gjyqe shkojnë në fondin për edukim