Transmetuar më 12-10-2018, 22:16

Një ditë pas masakrës me tre të vrarë në Mat, kryetari i Partisë Demokratike ka vizituar familjet e viktimave, punonjës të bashkisë.

Në një prononcim për mediat, Lulzim Basha së pari shprehu ngushëllime për ngjarjen e rëndë, ndërsa tha se ky krim tregon kapitullimin e shtetit.

“Ngjarja e djeshme ka tronditur jo vetëm Burrelin por gjithë shqiptarët dhe tregon kapitullimin total të shtetit për ballë krimit dhe gjendjen e pasigurisë që mbretëron nga Shëllia në qendër të Tiranës, nga Shkodra në Vlorë. Modeli nga i cili frymëzohen ngjarje të tilla kriminale është ai që duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet nga një model i një qeverisje të përkushtuar, një qeverisje që kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe është pranë tyre në ditë të vështira si kjo sot”, tha Basha.

Kryedemokrati pati një mesazh në distancë edhe për Edi Ramën.

“I bëj thirrje kryeministrit ta çkyçë gojën që e përdor vend e pavend me fjalor harbut për çdo gjë, t’i ofrojë ngushëllime tre familjeve, familjarëve të kësaj masakre, t’i ofrojë siguri qytetarëve të Matit dhe gjithë Shqipërisë”.

Përballë kësaj situate, Basha tha se “dua t’i siguroj ata sikundër qytetarët e gjithë Shqipërisë se për mua, PD-në dhe opozitën rivendosja me dorë të hekurt e rendit publik, rikthimi i moralit nga forcat e rendit, kujdesi për jetën e qytetarëve që nga kryefamiljarët, të moshuarit e veçanërisht fëmijët”.

Nga ngjarja në Shillë të Matit mbetën të vrarë Erzen Alia, Mentor Hoxha dhe Hamit Buçi, ndërsa mbeti i plagosur Astrit Hani.

Autor i kësaj masakre është Kujtim Koxha. /k.k/noa.al/