Transmetuar më 12-10-2018, 23:41

Një organizatë kriminale greko-shqiptare është goditur dhe shkatërruar nga autoritetet helene.

Grupi ishte i specializuar në shitjen e lëndëve narkotike, dhe në mesin e të arrestuarve janë edhe dy policë.

Në total janë 9 të prangosur, dy u shpallën në kërkim, mes tyre një shqiptar.

Banda ishte e vendosur në Athinë, por edhe në zonat e Trikalas dhe Grevena. Anëtarët e saj tregtonin drogë në Attica dhe në Greqinë veriore.

Mediat greke, duke cituar burime policore, informojnë se në rrjet janë të përfshirë një oficer i sigurisë që shërben në Athinë dhe një oficer policie nga rajoni i Grevenas.

Banda qarkullonte sasi të kokainës dhe substancave të tjera narkotike dhe përbëhej nga grekë dhe shqiptarë.

Informacionet paraprake tregojnë se oficerët e policisë luajtën një rol qendror në organizatë. Gjatë operacionit në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lëndë narkotike dhe armë. /k.k/noa.al/