Transmetuar më 13-10-2018, 11:16

Presidenti Ilir Meta, teksa ishte në Tropojë, nuk ka mundur të anashkalojë debatin e madh rreth ndërtimit të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Meta nënvizoi se ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar dhe si i tillë duhet të ruhet me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore por edhe interesat e çastit.

”Këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara’. Të ruajmë si sytë natyrën e Bjeshkëve, pyjet, kullotat, florën dhe faunën, ujrat, përrejtë dhe lumejtë. Ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar.

Këtë ekosistem duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit. Tropoja është një trevë e jashtëzakonshme thesari kulturor kombëtar. Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm dhe popullin e mrekullueshëm të Tropojës”, u shpreh Meta.