Transmetuar më 14-10-2018, 11:27
Foto ilustruese

Në kuadër të forcimit të sigurisë së brendshme në burgje dhe evidentimit e kapjes së sendeve të ndaluara Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve ka kryer në datë 12 tetor 2018 disa kontrolle në burgje të ndryshme të ndryshme.

Bazuar në informacionet e mbledhura në rrugë operative SHKBB ka organizuar një kontroll në IEVP Peqin në dhomën e të dënuarit A.D. Për të kishte informacione se mbante dhe shpërndante lëndë narkotike.

Nga kontrolli u arrit të kapeshin tre doza lëndë narkotike, kanabis sativa.

Nga SHKBB po vijon puna hetimore për zbardhjen e përgjegjësisë ligjore të trupës së shërbimit të IEVP Peqin lidhur me këtë rast.

Një tjetër kontroll është kryer në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Vaqarr, pas informacioneve se të paraburgosurit D.R., dhe S.K., mbanin një telefon celular.

Nga kontrolli i dhomës së tyre u konstatua i fshehur në njërin nga krevatet një aparat celular model iPhone.

I paraburgosuri S.K., i cili ishte dhe prezent gjatë kontrollit pranoi autorësinë e këtij celulari.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje thotë do të intensifikojë punën operative për zbulimin dhe kapjen e sendeve të ndaluara në burgje në funksion të forcimit të sigurisë së brendshme në këto institucione. /a.y/noa.al