Transmetuar më 14-10-2018, 13:13

Kryeministri Edi Rama reagon pas një publikimi të bërë mbrëmjen e djeshme nga ana e ish-Kryeministrit, Sali Berisha, ku ky i fundit e akuzonte se kishte blerë në New York, 23 mijë dollarë këmisha.

Por Rama i është përgjigjur duke përmendur sërish paketën “Antishpifje”.

“S’jam marrë kurrë me këtë qenef digjital, po në çdo vend demokratik (+në ligjin shqiptar) çdo përhapës i shpifjes dënohet njësoj si shpifësi! Kjo shpifje do shkojë në gjyq. Hugo Bossi im quhet Arjan, qepja si në New York çmimi si në Tiranë. Lekët e gjyqit do i bëjmë përparëse kopshti”, shkruan Rama në Twitter.

Në publikimin e tij ish-Kryeministri Sali Berisha, tha se “Kallam dështaku blen 23000 dollarë këmisha në një dorë në New York!”

Për këtë ai publikoi mesazhin që i ka dërguar një qytetar.

“Përshëndetje zoti Sali Berisha, po ti shkruaj këto fjalë prej hallit të madh, unë jam djalë 22 vjeç vendosa me lan çdo biznes te im atë, çdo burim pune që ai ka ndërtu dhe erdha në Amerikë vetëm se nuk shtyhet ma, nuk shtyhet ma me atë person të poshtër dhe drogaxhi me këtë shtet të shpifun që ka shndërru ky person i pa moral.

Nxjerr lotë përditë kur shoh moshën teme ditë për ditë çdo i ri gjen mënyra të ndryshme me u zhduk nga ai shtet kur ne aty kena kalu jetën dhe e duam me gjithë zemër, por nuk rrihet më me atë ekonomi poshtëruese që është tu ba ai që jep pare vetëm vetes dhe shokëve të vetë dhe tjerët mbarojnë për bukë.

Dhe Edvin Rama vjen blen 23 000 dollarë këmisha në Hugo Boss në Time Square. Respekte zoti Sali Berisha, shpresoj çdo ditë që shteti jonë të zgjohet prapë nga ju” /a.y/noa.al

“Rama blen këmisha 23 mijë dollarë në New York”