Transmetuar më 14-10-2018, 13:29

Partia Demokratike thotë se Taulant Balla është bashkëpunëtor i trafikantit të rrezikshëm të drogës Edmond Bego.

Kjo deklaratë u bë ditën e sotme nga selia blu, nëpërmjet deputetit Luçiano Boçi.

Ai tha se dje Partia Demokratike paraqiti fak​te të reja që tregojnë lidhjen e fortë të numrit dy të Partisë Socialiste dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste me trafikantin e rrezikshëm të drogës Edmond Bego, të dënuar në Itali me 21 vite burg.

Boçi tha se Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit mbi 25 herë me trafikantin e drogës Edmond Bego, shpeshherë me të njëjtën makinë, kryesisht me automjetin e Taulant Ballës me targa AA900IN.

“Taulanti nga Librazhdi, gjatë historikut të udhëtimeve, gjatë periudhës që qeverisë Edi Rama, ka përdorur dhjetëra herë charter-in për udhëtime jashtë Shqipërisë, ku nuk mungojnë edhe udhëtime me charter nën shoqërinë e trafikantit të drogës Edmond Bego. Taulanti u fsheh si gjithmonë ku kapet në flagrancë si bashkëpunëtor i eksponentëve të krimit të organizuar”, u shpreh deputeti demokrat.

Më tej ai i drejtoi disa pyetje duke thënë se:

-Çfarë e lidh numrin dy të Partisë Socialiste me trafikantin e drogës Edmond Bego?

-Pse ka udhëtuar 25 herë jashtë vendit me trafikantin e dënuar të drogës Edmond Bego?

-Pse ka përdorur makinën e tij personale për të udhëtuar me trafikantin ndërkombëtar të drogës Edmond Begon?

Sipas tij, dje Balla konfirmoi se një nga dhjetëra udhëtimet e tij me charter ia kishte financuar Edi Rama, i cili si asnjë Kryeministër tjetër më parë, përdor charter për udhëtime jashtë vendit.

Më tej ai drejtoi disa pyetje të tjera duke thënë se:

-Po udhëtimet e tjera me charter kush ia ka paguar dhe a janë financuar udhëtimet e tij nga burime të paligjshme?

-Kush i ka paguar udhëtimet me charter gjatë udhëtimit të tij me Edmond Begon?

Në vijim ai tha se “Taulanti nga Librazhdi” mund të bëhet edhe sot qesharak dhe mund të thotë që edhe Edmond Bego ishte i ftuar në një vizitë në Parlamentin Europian.

Sipas tij, Balla është faktuar si një mashtrues që nuk heziton të përdor fotomontazhin dhe kallamin e peshkut për të mbuluar lidhjet e tij me krimin e organizuar.

“Ata sot mund të bërtasin “shpifje” sepse nuk ka kush i heton dhe dënon. Ata mund të ndjehen sot të sigurtë përkohësisht sepse kontrollojnë gjykatat e prokurorinë. Qeveria në pakt me krimin, parlamenti i varur nga krimi, policia e drejtuar nga krimi dhe prokuroria nën urdhrat e krimit është realiteti që sheh sot çdo shqiptar. Të vërtetën nuk e fshehin dot më. Lidhja e tyre me krimin e organizuar është e dokumentuar dhe fundi i tyre është i afërt”, deklaroi në mbyllje deputeti demokrat. /a.y/noa.al