Transmetuar më 15-10-2018, 07:58

Kafka e një personi është gjetur në një kanal nga një punëtor këtë të diel, i cili po merrej me pastrimin. Zbulimi tronditës u bë në zonën e Prevezës në Greqi.

Paraprakisht mendohet se kafka i përket 26-vjeçarit shqiptar Bledar Terpollari, prej të cilit dy vite më parë ishte gjetur vetëm trupi.

Sakaq për ekspertizën e nevojshme, kafka u dërgua në një laborator të specializuar në Athinë.

26-vjeçari, i cili u gjet i masakruar në Gliki të Igumenicës në Greqi, është ekzekutuar nga tre shqiptarë, pasi u akuzua prej tyre kishte mbajtur paratë e një sasie të madhe droge, e cila ishte futur nga Shqipëria.

Nga rrëfimi i shokëve të tij në Greqi, kushëriri i viktimës Krenar Terpollari nga Backa e Skraparit, dyshohet ta ketë marrë kokën e viktimës si provë se porosinë e kishte kryer.

Ka dyshime se krimi makabër ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës, ndërsa i dyshuari është paguar 20 mijë euro.

Për krimin pak pas ngjarjes u arrestuan Emiljano Nona dhe Pajtim Jaupi, të cilët dyshohet se mund të jenë porositësit e krimit dhe rreth dy muaj pas krimit u dorëzua në policinë shqiptare edhe Krenar Terpollari, i dyshuar si ekzekutori.

Bledar Terpollari 26 vjeç u vra dhe iu pre koka në Gliki të Igumenicës, më 9 maj 2016 për larje hesapesh për trafikun e drogës. Trupi i tij i pajetë u varros pa kokë në Shqipëri. /a.y/noa.al