Transmetuar më 15-10-2018, 09:37

Ditën e sotme Prokuroria e Krimeve të Rënda, do të vendosë lidhur me procedimin penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet për trafik droge.

Kjo pasi përfundon afati i hetimeve dhe tashmë pritet që organi i akuzës të marrë vendim, nëse do e pushojë çështjen ndaj tij apo do e dërgojë për gjykim.

Vendimi pritet të merret, pasi për dy herë me radhë është shtyrë afati i hetimeve.

Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

Kështu sot grupi i prokurorëve do të mblidhet për të vendosur për fatin e hetimeve, ku nuk përjashtohet që të kërkohet edhe një zgjatje afati hetimor me tre muaj.

Hetuesit kanë administruar deri tani përgjigjet e letër-porosive të mbërritura nga Greqia Italia dhe Mal të Zi, por pritet që të vije edhe përgjigja e një letër-porosie që është dërguar së fundmi në Itali.

Kjo për shkak se Tahiri dyshohet se ka udhëtuar me disa nga personat e përfshirë nën hetim. Po ashtu Krimet e Rënda po zhvillojnë edhe një hetim pasuror lidhur me pasurinë e Tahirit, për shkak të dyshimeve se mund të jenë produkt i aktiviteteve kriminale. /a.y/noa.al