Transmetuar më 19-10-2018, 18:36

Pas dorëheqjes së Nikos Kotzias, mediat greke raportuan se nga fondi sekret i Ministrisë së Jashtme greke rreth 1 milion euro janë shpenzuar për financime dhe ndihma të dhëna për media në Shqipëri dhe në Maqedoni.

Lidhur me këtë, Prokuroria e Athinës urdhëron hetim për informacionet e publikuara në gazetën elektronike greke iefimerida.gr.

Ndërkaq, pas bujës së shkaktuar për listën e gazetarëve dhe portaleve shqiptare që kryenin propagandë pro Greqisë, Kryeministria greke e ka përgënjeshtruar zyrtarisht duke theksuar se nuk janë shpërndarë fonde në media ballkanike.

Sipas prokurorisë, publikimi në media i informacioneve sekrete te shtetit përbën akt penal dhe kriminal.

Por , pas publikimit të lajmit se Ministria e Jashtme greke kishte financuar portale dhe gazetarë në Shqipëri për lajme pro Greqisë, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka publikuar një video të muajit janar, sipas të cilit paralajmëroi shqiptarët për "fondet e pista" që hidheshin nga shteti grek kundër çështjes çame.

“Ne e patëm lajmëruar!!! Në janar të këtij viti, kryetari i PDIU-së paralajmëroi shqiptarët për fondet e pista që hidheshin në media e portale kundër çështjes Çame e pro interesave greke, nga Fondi Sekret i Ministrisë së Jashtme greke. Sot ju sjellim pjesë të asaj fjale për t’ju rifreskuar kujtesën. Ne nuk harrojmë!”, thuhet në reagimin e Idrizit./b.l/noa.al/