Transmetuar më 23-10-2018, 13:25

Shpirti artistik i shqiptarëve nuk mendoj se fle, ndoshta është përgjumshëm dhe i rraskapitur nga kotjet, por besoj fort se instikti i mbijetesës, brez pas brezi ka zhvilluar edhe rrënjë të forta të krijimit dhe të të bërit art, i cili herë pas herë ngre kokë dhe merr çmim me prestigj

Nga ARLINDA ÇAUSHOLLI

Më datën 20 Tetor, filmi shqiptar “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të Artan Minarollit fitoi Çmimin e Madh të Varshavës në Festivalin të 34-t Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë të Polonisë.

“Kemi një film të Artan Minarollit që nuk jeton më, por duam ta mbarojmë ne”. Kjo ishtë telefonata që hapi bisedat për xhirimet në aeroport për “Delegacionin”. Pa dyshim, asnjë hezitim.

Përtej kënaqësisë të Aeroportit që ka kontribuar në disa skena të realizimit të tij me zemërgjerësinë për artin dhe artistët, fitorja është e madhe për sytë e atyre që e njohin filmin, aktrimin dhe punën e madhe që bëhet për ta postuar emrin e Shqipërisë diku. Pavarësisht se vendi nuk shquhet për zhvillim arti por për deformim të tij.

Shpirti artistik i shqiptarëve nuk mendoj se fle, ndoshta është përgjumshëm dhe i rraskapitur nga kotjet, por besoj fort se instikti i mbijetesës, brez pas brezi ka zhvilluar edhe rrënjë të forta të krijimit dhe të të bërit art, i cili herë pas herë ngre kokë dhe merr çmim me prestigj.

Kurajo nuk e ndal artin. As dëshira për të bërë diçka të vlefshme që ka edhe dimension kombëtar, edhe personal.

Na duhen kurajozë që të shkërmoqin betonin e pajetë, dhe të nxjerrin filizat delikatë të artit dhe kulturës, sepse pamja përpara syve do të zbukurohet. E në të njëjtën kohë, do të mbushë me shpresë edhe qindra ata të rinj, që pulsojnë Akademinë e Arteve dhe tulaten nëpër rrugët e Shqipërisë në kërkim të një spektatori që triumfin e sheh tek krijimi dhe jo te shkatërrimi.

Përzemërsisht, urojmë fitoren nga regjisori deri tek tekniku më i fundit.

Lexoni edhe: Shqipëria dhe Kosova, triumf në Festivalin Ndërkombëtar të filmit me "Delegacioni"