Transmetuar më 30-10-2018, 08:58

Një sulm me molotov është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në një zyrë turistike shqiptare në qendër të Athinës.

Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se dyshohet se sulmi, mund të ketë lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit minoritar grek Kostandinos Kacifas, në Bularat të Gjirokastrës.

Zyra turistike e sulmuar ndodhet në rrugën Deligianni, pranë stacionit Larissis.

Mësohet se autorët e sulmit pasi hodhën lëndën plasëse u larguan, duke shkaktuar dëmtime në zyrë.

Bëhet fjalë për zyrën turistike të një kompanie shqiptare, e cila vepron në linjën ndërkombëtare të autobusëve.

35-vjeçari minoritar grek mbeti i vrarë pasditen e kësaj të diele gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, teksa ishte i rrethuar, gjë që shkaktoi edhe protesta në Greqi.

Gjithçka pasi më herët ai kishte qëlluar në ajër në fshat dhe më tej kur policia ishte vënë në ndjekje, kishte shkrepur armën dhe ndaj uniformave blu.

Kacifas prej pak ditësh ishte kthyer në Gjirokastër pasi jetonte në Athinë. Ai ishte i divorcuar dhe kishte një vajzë 13 vjeçe.

Po ashtu bëhet me dije se në vitin 2009 ai ishte arrestuar nga policia greke në periferi të Athinës, për trafik droge. /a.y/noa.al