Transmetuar më 04-11-2018, 18:08

Një shqiptar nga Kosova, 47-vjeç, është dënuar me burg nga autoritetet zvicerane pasi kishte mashtruar shtetin zviceran duke përfituar të ardhura nëpëmjet statusit invalidor në mënyrë të paligjshme.

Ai kishte përfituar prej 420,000 franga për gati dhjetë vjet.

Statusin e pensionit kosovari e kishte fituar duke shkaktuar një aksident me qëllim në Cyrih në vitin 2000.

Gruaja e tij ju kishte thënë autoriteteve zvicerane se pas goditjeve të marra si pasojë e aksidentit burri i saj kishte vazhdimisht kokë dhembje, dhimbje të shpinës, nervozizëm dhe agresion, shkruan gazeta zvicerane, “Tages Anzeiger”.

Ai u zbulua në tetor të vitit 2008, ku Instituti i Sigurimeve Shoqërore të Cyrihut kishte marrë një telefonat anonime, se kosovari ishte duke punuar si truproje në një klub në Rumlang për pesë vite.

Videot e detektivëve kishin vërtetuar se ai ishte i integruar dhe shumë aktiv.

Detektivët po ashtu kishin vërtetuar se ai kishte udhëtuar disa herë me automjete të shtrenjta në Kosovë, ku kishte ndërtuar shtëpinë e tij dhe kishte kaluar pushimet në Turqi dhe në Egjipt.

Për shkak të hetimeve autoritetet zvicerane në vitin 2011 vendosën t’ia ndërpresin pensionin.

Në vitin 2016 Gjykata e Qarkut në Dietikon e dënoi kosovarin me 29 muaj burg për mashtrim.

Kundër këtij verdikti ai u ankua në Gjykatën e Lartë të Cyrihut, e cila e dënoi atë të enjten me 36 muaj burg, prej të cilëve 12 muaj duhet t’i vuajë brenda hekurave.

Gjatë procesit u bë e ditur se i akuzuari bashkë me gruan e tij kanë inskenuar një aksident në vitin 2003 me qëllim që të marrin para nga siguracioni.

Për këtë vepër ata janë dënuar për mashtrim.

Gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësi, kosovari tha se nuk dinte asgjë për gjendjen financiare të familjes së tij. Për këto punë, tha ai, përgjegjëse është gruaja e tij./a.k/noa.al/