Transmetuar më 07-11-2018, 17:43

A është thjesht një matje forcash në distancë, apo pritet një përplasje reale President-Qeveri? Pse po e pret qeveria presidentin Meta për rishqyrtimin e vendimit për të dekretuar Sandër Leshin ministër të Brendshëm? A është presidenti pjesë e skenarit të opozitës për të rrëzuar qeverinë?

Këtyre pyetjeve iu është përgjigjur si i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja në emisionin “Top Talk”, analisti Artur Zheji. Ai e konsideroi veprimin e Metës si të parin “semafor të kuq” të bujshëm ndaj kryeministrit Rama.

“Nuk i zë besë kryeministrit kur flet për krisje, sepse pak kohë më parë ka thënë se Meta ishte presidenti më i mirë i të gjitha kohërave, aq sa shumë aluduan se marrëdhëniet PS-LSI apo më saktë mes Metës dhe Ramës ishin përmirësuar në mënyrë befasuese. Duke i besuar Nikollë Lesit, thuhet se ai ka ndërruar fjalim në momentin e fundit, pasi do të thoshte ‘çarje’ dhe përfundoi te ‘krisja’.

Duke qenë se kryeministri shet për fat të keq më shumë formë sesa përmbajtje, do të thoja se ka një mospajtim midis qëndrimit kryeministror dhe sidomos atij presidencial. Mendoj gjithashtu se Rama pati më në fund një pengesë, një ‘semafor të kuq’ institucional të bujshëm.

Ka pasur disa të tillë, sidomos për marrëveshjen e detit, teatrin po e konsideroj si çështje të vogël, por këtu pati bujë, sepse Rama mendoi se këshilltarin e tij mund ta katapultonte nga paradhoma e tij në postin e ministrit”, u shpreh Zheji, që deklaroi gjithashtu se kjo është më shumë sesa krisje, ndoshta një ndarje.

Por a është kjo telenovela e radhës, mes dy politikanëve që kanë pasur në të kaluarën dashuri të forta dhe përplasje gjithashtu të forta, deri në epitete nga më monstruozet për njëri-tjetrin, që më tej janë kthyer në buzëqeshje, dreka, ngjala etj.?

“Dua të bëj një paralelizëm mes debateve midis Berishës kryeministër dhe Bamir Topit president, përfshi edhe kryeprokuroren Ina Rama, që vërtet ishte i ashpër, por nga ana e pushteteve të ndara ishte gjë e shëndetshme, pasi këto institucione funksionojnë realisht më të pavarura nëse janë nën konflikt.

E njëjta situatë është edhe tani, pasi kemi parë një kryeministër që ka futur duart në të gjitha institucionet, ndërkohë që prej një viti Meta heshtte. Për herë të parë në këtë një vit presidencë, pamë një ‘semafor të kuq’ të plotë. Kjo është e shëndetshme për demokracinë”, shpjegoi Zheji.