Transmetuar më 07-12-2018, 11:28

Një numër i konsiderueshëm studentësh nga të gjitha universitetet publike të vendit, është përfshirë në valë protestash, duke kërkuar përgjysmim të tarifës së shkollimit.

Aktualisht protesta është duke u zgjeruar gjithnjë e më shumë.

Në të po marrin pjesë djem e vajza pa dallime partiake.

Në një vëzhgim që bëri sot NOA.al në terren, pranë protestuesve, konstatoi se pjesëmarrja për herë të parë nuk është përjashtimore: Në tubime marrin pjesë të majtë e të djathtë, pa dallime partiake, paçka se shumica e studentëve, në zgjedhje votojnë për krahë të ndryshëm politikë.

Por çfarë po ndodh me studentët?

Përse lëshohet edhe një herë pas 28 vjetësh, thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Djem e vajza në protestë, pohojnë se janë të inspiruar nga disa faktorë. Ata përmendin si sebep kryesor të kësaj proteste, pikërisht tarifën e vendosur për provimet e përsëritura.

Kjo është një praktikë që ndiqet në Shqipëri nga shumë universitete private, por në rastin e atyre shtetërorë, kjo nuk u kapërdi.

“Ne kemi ardhur në shkollat shtetërore se s’kemi lekë të shkojmë te privati. E dijmë ne shumë mirë që po të shkosh tek UFO fjala vjen, do paguash sa herë hyn provim të bartur. Po ne po të kishim kaq lekë shkonim atje, s’vinim këtu”, – thotë një djalë 21-vjeçar.

Një tjetër pranë tij, shton: “Këtu more, janë bërë si shtet e si privat njësoj. Na taksën për provim, na dhe taksën e shkollës që e kanë çuar kacafiu. Ku ti gjejmë lekët ne të paguajmë këta që as mësim s’dinë të japin e lëre t’u kërkosh programe të thelluara siç i kanë shokët e mi jashtë”.

Studentët pohojnë se nga ato që u kanë treguar familjarë, nga ato që kanë lexuar dhe shikuar, nuk shohin ndonjë ndryshim me fillimin e viteve ’90.

“Ja shihni ça ka ndryshuar. Më keq është bërë. Atëherë kushtet kanë qenë mizerie, po pse tani po e ndrisin? Më keq është bërë, atëherë s’kishte taksa e taksa, të paktën shkoje në shkollë pa frikë se i ke lënë prindërit pa bukë se të paguajnë shkollën ty. Ndaj të mbledhin mendjen se ne e duam Shqipërinë vërtet si gjithë Europa”, – pohon një tjetër student, që gjendej sot paradite duke iu afruar ministrisë së Arsimit bashkë me mijëra të tjerë.

Publikimi nga kryeministri Edi Rama, i një videoje, ku shfaqeshin pamje 3D se si do të bëhen konviktet në të ardhmen, bëri që shumë studentë të acarohen pasi sipas tyre gjendja e papërshtatshme dhe pa standarde në konvikte vazhdon.

Ata nxituan të bëjnë banderola ironizuese që shikoni në fotogalerinë që ju sjell noa.al më poshtë, ku mes tyre shkruhej: “Mbrëmë fjeta në konviktin 3D”…