Transmetuar më 11-12-2018, 10:43

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në një komunikim me mediat ditën e sotme, komunikoi zgjidhjen e kontratës me kompaninë fituese të tenderit për lotin e parë të Unazës së Madhe.

Ai tha se në cilësinë e ministrit udhëzoi Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe çdo institucion tjetër të varësisë që nëse ka kontrata apo që mund të kenë kontrata me kompaninë Dunwell Haberman apo procedura tenderimi ku mund të ketë marrë pjesë, që të fillonin menjëherë procedurat e pezullimit dhe marrjen e masave për verifikimin e  dokumentacionit të kësaj shoqërie.

“ARRSH me 7 dhjetor pezulloi punimet dhe zbatimin e kontratës për lotin e parë të Unazës së Madhe të Tiranës dhe ARRSH ju drejtua zyrtarisht ministrisë së Infrastrukturës për të ndihmuar komunikimin me autoritetet amerikane në lidhje me verifikimin e pretendimeve të ngritura nga media. Me 7 dhjetor në mëngjes i jam drejtuar zyrtarisht me shkresë ambasadës amerikane, Ministrisë së Punëve të Jashtme që edhe ajo përmes ambasadës sonë në Uashington të vihej në lëvizje si dhe kam kontaktuar me kërkesën time zyrtarë të ambasadës së SHBA dhe u kam kërkuar ndihmë dhe asistencë”, u shpreh Gjiknuri.

Ai tha se në bazë të përgjigjeve të ardhura dje rezulton se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania “DH Albania” në procedurat e tenderit është e falsifikuar.

Sipas tij, janë të dhëna të rreme, një pjesë e informacionit nuk ekzistonte në regjistrat tregtarë.

Ministri bëri me dije se pas marrjes së këtij konfirmimi ARRSH ka zgjidhur menjëherë kontratën në fjalë dhe do të fillojë menjëherë  procedurat e sekuestrimit të garancisë së garancisë së kontratës që ka një vlerë 10% të vlerës totale të kontratës.

Po ashtu deklaroi se ARRSH ka bërë ndërprerjen e njëanshme të kontratës.

“Materialet e ardhura nga SHBA do ti referohen prokurorisë që ka hapur një hetim për falsifikim të dokumenteve zyrtarë nga kompania “DH Albania”, u shpreh ministri.

Më tej bëri me dije se të njëjtën praktikë ka ndjekur dhe OST ku kjo kompani nëpërmjet një procedure të hapur ka tenderuar në një tender.

Por ai saktësoi se nuk rezulton ti jetë shkaktuar asnjë dëm financiar buxhetit të shtetit pasi kontratat nuk kanë filluar të zbatohen dhe pagesa nuk janë bërë.

Gjiknuri tha se falsifikimi i të gjithë dokumenteve rezulton të jetë kryer jashtë territorit të Shqipërisë. /a.y/noa.al

Kompania e Unazës së Re, fitoi tender të dytë 11.7 milionë euro

Dokumentet e falsifikuara/ ARRSH tërhiqet nga projekti i Unazës së Re, pezullohen punimet

Skandali! Kompania që fitoi tenderin e Unazës së Re, falsifikoi letrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së