Transmetuar më 15-12-2018, 20:55

Nga Arlinda Çausholli

Nuk e njoh personalisht doktor Luan Dragushën.

Emri i tij m’u bë i njohur për alarmin që i dha një mikeshës sime për sëmundjen që kishte, dhe them se i shpëtoi jetën, çështje orësh, derisa e  shtroi urgjent në spital.

Më pas, emrin e tij e ritakova nëpër lajme, si disa të pafajshëm që u përplasen pas hekurave këto vitet e fundit dhe për të cilët kam folur e shkruar.

Fatmirësisht, u la i lirë, ndonëse liria i ka rrënjët gjithkund, përveçse te sistemi që Shqipërinë e bëri armike të vlerave dhe mike të korrupsionit dhe të pangopjes.

Dje lajmëroi operacionin e fundit në Shkodër, pas shërbimit me zell e zhgënjim bashkë për t’u rikthyer ne Shtetet e Bashkuara.

Fundi i Doktor Dragushës, padyshim do jetë fillimi apo rifillimi i tij. Po për ne?

Ne duhet të bëhemi doktorë të vetes, sepse do të jetë shumë vonë. Të hapim sytë për të drejtën dhe të shurdhohemi kush na vret me të zhdrejtën.

Të gjithë e njohim dhe po flasim me zë studenti këto ditë. Forca qëndron te frymëzimi.

Shqipëria do rrojë gjatë, por ne që jemi të përkohshëm, të mendojmë e më pas të veprojmë, nëse frymëzon kjo qerrja e krekosur e politikanëve që humanizmin si fjalë, e kanë përdorur me gishtat e dorës nëpër fjalime. Me arrogancë nuk ka progres. Ka vetëm kthim prapa.

Shqiptarët kane nevojë më shumë se kurrë për humanizëm dhe mundësisht të shkruhet me shkronja të mëdha në vend të festimeve të fundvitit:

"Gëzuar Humanizmin 2019". Që të mos harrojmë….çfarë duhet të kërkojmë.