Transmetuar më 22-12-2018, 12:55

Në përfundim të dorëzimit të ofertave nga operatorë të ndryshëm ekonomik për dhënien me koncesion/ppp të Aeroportit të Kukësit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se ofertë për këtë procedurë ka paraqitur, një operator ekonomik.

Bëhet fjalë për bashkimin e shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, e cilas sipas MIE në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve, nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp, do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk. Në total vlera e investimit (CAPEX): 7.999.393 euro pa tvsh.

Përmes një deklarate për mediat, ministria bën me dije se “Afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave nga operatorë të ndryshëm ekonomik në këtë procedurë konkuruese ka përfunduar me datë 20.12.2018”.

Deklarata e plotë

Afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave nga operatorë të ndryshëm ekonomik në këtë procedurë konkuruese ka përfunduar me datë 20.12.2018.

Komisioni, pas hapjes së ofertave konstaton se ka paraqitur ofertën e tij për këtë procedurë një operator ekonomik dhe më konkretisht bashkimi i përkohshëm i shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, ku në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve, nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp, do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk.

Një nga kriteret kualifikuese të kësaj procedure ishte pjesëmarrja e një shoqerie/ekspertesh me përvojë në fushën e operimit dhe manaxhimit të aeroporteve e pajisur me licencat përkatëse lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare të aviacionit, nëpërmjet një marrëveshje/kontrate me operatorin ekonomik.

Në dokumentet e dorëzuara nga konsorciumi që ka paraqitur ofertë në këtë procedurë gare është përfshirë dhe marrëveshja mes konsorciumit dhe kompanisë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve.

Komisioni është duke vazhduar shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit të paraqitur në formë elektronike nga ky bashkim shoqërisë dhe bën të ditur se oferta financiare e paraqitur nga Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk është: Total vlera e investimit (CAPEX): 7.999.393 euro pa tvsh.

Pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të dokumentacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të informojë median dhe opinionin publik në lidhje me vendimmarrjet e mëtejshme të komisionit në këtë procedurë konkuruese./b.l/noa.al/