Transmetuar më 22-12-2018, 15:35

Më 21 janar të vitit të ardhshëm do të zhvillohet në Gjykatën e Madridit, seanca dëgjimore për Cristiano Ronaldon, i akuzuar për evazion fiskal, i kryer gjatë periudhës kur ai ishte pjesë e Realit të Madridit.

Kjo seancë do të shërbejë për të ratifikuar paktin që futbollisti ka arritur me organet fiskale spanjolle, teksa ka pranuar fajin e tij dhe si rrjedhojë dënimin me dy vite burg me kusht e një gjobë prej 18.8 milionë eurosh.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, seanca do të nisë në orën 9:50 të 21 janarit, por Ronaldo nuk do të jetë i pranishëm fizikisht, e do të marrë pjesë në seancë nëpërmjet një videokonference, ku do t’iu përgjigjet akuzave për 4 shkeljet fiskale të kryera në periudhën 2011-2014.

Cristiano Ronaldo është një prej emrave më të rëndësishëm të futbollit botëror, që ra në rrjetën e organeve fiskale spanjolle, së bashku me rivalin e tij Lionel Messi, si dhe Luka Modriç, Marcelo, Falcao, Di Maria, Mascherano, apo edhe trajneri Jose Mourinho.