Transmetuar më 03-01-2019, 12:12

Viti 2019 nis me të reja të rëndësishme për vendet e Eurozonës. Që nga muaji janar, bankat qendrore të 17 nga 19 vende, të cilat përdorin Euron, nuk do kenë më kartëmonedha prej 500 euro.

Më pas në muajin prill do i bashkohen edhe dy vendet e tjera të zonës Euro, të cilat nuk do të nxjerrin më nga kjo kartëmonedhë.

Banka Qendrore Europiane, nëpërmjet një deklarate bëri me dije se “Duke nisur nga 27 janari 2019, bankat qendrore të zonës Euro, nuk do të nxjerrin më kartëmonedha prej 500 euro”.

Ndërkohë banka qendrore austriake dhe ajo federale gjermane, do të vijojnë të emetojnë këto kartëmonedha deri në 26 prill.

Vendimi për ti thënë lamtumirë kartëmonedhës prej 500 euro, vjen nga ana e autoriteteve europiane, të cilat e cilësojnë si një mjet pagese shumë pak të sigurtë, që përdoret kryesisht për aktivitetet të jashtëligjshme.

Natyrisht nuk bëhet fjalë për një lamtumirë përfundimtare, pasi kartëmonedhat prej 500 euro në qarkullim, do vijojnë të përdoren deri në momentin që do të merret një vendim i dytë, shkruan noa.al.

Këto kartëmonedha përbëjnë 2.4% të totalit të kartëmonedhave Euro në qarkullim.

Sakaq gjatë vitit që sapo ka nisur do të hidhen në qarkullim, kartëmonedha prej 100 dhe 200 euro, me elementë të fortë sigurie, që nga pikëpamja vizive do kenë të njëjtën përmasë sa një kartëmonedhë prej 50 euro. /a.y/noa.al