Transmetuar më 07-01-2019, 13:30

Frika se mos e kthejnë në vendin e saj qëndron në faktin se mund të vritet nga familja.

Rahaf Mohammed al-Qunun, është një 18-vjeçare saudite, e cila braktisi besimin Islam dhe u arratis nga vendi i saj ndërsa është ngujuar në një dhomë hoteli në aeroportin e Bangkok, Tajlandë, nga frika se mos e kthejnë mbrapsht.

Historia e saj po bën xhiron e botës dhe rrjeteve sociale, në sajë të postimeve në Twitter të bëra nga vetë e reja. Agjentët e zyrës së emigracionit, duan që ta kthejnë të renë në Kuvajt, ku ndodhet aktualisht familja e saj, por vajza refuzon që të shkojë.

“Vëllezërit, familja ime dhe ambasada saudite më presin në Kuvajt dhe do më vrasin, jeta ime është në rrezik. Familja më kërcënon me jetë edhe për gjërat më të vogla”, tregon e reja. Destinacioni i Rahaf Mohammed al-Qunun ishte për në Australi, ku dhe do të kërkonte azil. Vajza donte të shkonte në kontinentin tjetër fshehurazi, gjatë një udhëtimi me familjen për në Kuvajt, por gjatë arratisë u bllokua në aeroportin e Bangkok, ku dhe iu bllokua pasaporta.

Në Arabinë Saudite, një femër duhet të ketë konsensusin e një familjari mashkull për të udhëtuar jashtë. Në postimet e saj në rrjetet sociale vajza tregon se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, për shkak se hoqi dorë nga Islami dhe se kishte zgjedhur një stil jete perëndimor, shkruan noa.al.

Po ashtu ajo ka thënë se nuk ka në plan që të lërë hotelin, pa folur me përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Prindërit e mi janë shumë të ashpër dhe më mbyllën në dhomën time për gjashtë muaj vetëm sepse preva flokët. Jam 100% e sigurtë që do më vrasin, nëse më rikthejnë”, shprehet e reja. Apeli i vajzës u dëgjua nga organizata ‘Human Rights Watch’, e cila iu kërkoi autoriteteve të Bangkok që të ndalojnë kthimin e vajzës në familje. /a.y/noa.al