Transmetuar më 14-01-2019, 18:40

Plagosja me armë zjarri sot pasdite në qendër të qytetit të Vlorës ishte në atentat i pastër, por autorët e krimit për momentin të paktën, mbeten të panjohur.

Policia e Shtetit flet mbi ngjarjen e ndodhur sot rreth orës 17:40, në lagjen "Pavarësia" ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti e për pasojë ka mbetur i plagosur një 41-vjeçar.

Mjekët thanë se i plagosuri po merr ndihmë mjekësore në spital.

Burime jozyrtare thanë se i plagosuri është Mikel Mehmeti, banor i Vlorës. Ai ndodhej tek mjeti i tij Audi me targa AA 653 VC, kur iu bë atentati.

Makina e djegur

Nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe personi i dytë që udhëtonte në mjet.

Ndërkohë, në afërsi të stacionit të trenit, policia ka gjetur duke u djegur një automjet, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët për fshehjen dhe largimin e tyre.

“Shërbimet  e policisë po krehin zonën  për të bërë të mundur kapjen e autorëve”, – thanë burime zyrtare nga policia lokale.

Sakaq, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e autorëve. /noa.al/

Pamje nga vendngjarja