Transmetuar më 15-01-2019, 07:30

Nga vendet e Bashkimit Europian kanë hyrë në Shqipëri rreth 500 milionë euro neto nga tregtia, shërbimet dhe të ardhura të tjera për 9 muajt e vitit 2018.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Eurostat  në raportin tremujor për “Deficitin e llogarisë korente në tregti dhe shërbime me vendet jo të BE-së”.

Sipas statistikave të Eurostat për 9 mujorin, BE ka me Shqipërinë një deficit të llogarisë korente prej rreth 500 milionë euro, që nënkupton që kjo shumë ka hyrë neto në Shqipëri. Sipas përkufizimit të BE-së “Llogaria korente mat të gjitha transaksionet që ndodhin midis njësive rezidente dhe jo rezidente dhe i referohet tregtisë ndërkombëtare në mallra dhe shërbime dhe po ashtu burimeve parësore dhe dytësore të të ardhurave”.

Teksa bilanci i tregtisë së Shqipërisë me vendet e BE-së është negativ, Shqipërisë duket se i ngrenë peshë remitancat, pra paratë që emigrantët dërgojnë në Shqipëri tek të afërmit e tyre dhe shërbimet, flukset nga  e cila janë shtuar vitet e fundit, si rrjedhojë e zgjerimit të aktivitetit të call center dhe më pas të forex. Efekt ka dhënë edhe shtimi i turistëve të huaj në Shqipëri.

Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat që emigrantët kanë sjellë tek të afërmit e tyre në 9 muajt e këtij viti arritën në 501 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është shënuar një rritje prej 8%, shkruan ‘monitor’.

Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet drejt shteteve të BE-së për 9 mujorin ishin 1.2 miliardë euro (78% e totalit), ndërsa importet nga këto vende rreth 2.3 miliardë euro (62% e importeve totale) me një bilanc negativ prej rreth 1.1 miliardë euro.

Ndërsa turizmi solli 1.5 miliardë euro për 9 mujorin, sipas Bankës së Shqipërisë, me një bilanc neto prej rreth 360 milionë eurosh, një nivel rekord ky i pas viteve ’90.