Transmetuar më 15-01-2019, 12:39
Ministri Sander Lleshaj

Dorëzimi dhe arrestimi i “Eskobarit të Ballkanit”, Klement Balili, i shumëkërkuar për trafik droge, është pa diskutim lajmi më i bujshëm i kohëve të fundit.

Lidhur me arrestimin e tij, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, doli në një konferencë për mediat.

Teksa u pyet nga gazetarët se çfarë u negociua me të për dorëzimin, deklaroi se nuk mund të japë detaje operacionale.

Por pyetjes se çfarë sigurie iu ofrua Balilit që u dorëzua, ministri tha shkurt: “Sigurinë e një procesi të drejtë ligjor”.

Gjithashtu ai bëri me dije se dorëzimi i Balilit erdhi pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët.

Sipas tij, nga sot, drejtësia shqiptare merr në duart e saj njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj, ndërsa qytetarët dhe partnerët e vendit marrin, jo vetëm një lajm të rëndësishëm, por dhe një mesazh shumë të qartë për Shqipërinë që duam.

“Arrestimi i sotëm është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. E gatshme dhe e aftë për të kaluar në një fazë të re dhe vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe në aftësinë e saj goditëse”, u shpreh ministri.

Lleshaj tha se zbatimi me konsekuencë nga Qeveria shqiptare i një politike transformuese në raportet e shtetit me krimin dhe i një lufte pa kompromis kundër krimit të organizuar po e ngushton përditë e më tepër hapësirën e veprimit për të gjithë ata persona apo grupe që në rrugën e anti-ligjit, bënë shumë të këqija për dekada me radhë.

Me gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka operacioni për arrestimin e Klement Balilit, për Lleshaj, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera me përgjegjësi për sigurinë e vendit dhe për zbatimin e ligjit, e dinë mirë se operacioni vazhdon dhe se forca goditëse e ligjit, gjerësia dhe thellësia e tij do të njohin intensitet të ri edhe me të tjerë që do të shkojnë prapa hekurave.

“Kam edhe një mesazh të qartë nga dita e sotme: Rruga e vetme, e arsyeshme, që mbetet për të gjithë ata që janë vënë përballë ligjit është vetëm bashkëpunimi me drejtësinë. Një tjetër rrugë më të mirë për ta nuk ka dhe nuk mund të ketë!”, tha ndër të tjera ministri i Brendshëm.

Në mbyllje deklaroi se “Balta dhe histeria e politikës me krimin, jo vetëm s’na ndalin, por na motivojnë edhe më shumë”. /a.y/noa.al

Meta përshëndet arrestimin e Balilit: Person me probleme serioze me ligjin

Rama: Balili prapa hekurave, përgjigje për të gjithë qentë që lehin

Berisha publikon mesazhin: Vetëdorëzohet Klement Balili

Ministri Lleshaj në konferencë: Klement Balili u arrestua