Transmetuar më 15-01-2019, 13:32

“Vetëdorëzimi i Klement Balilit nuk është hap i madh në luftën kundër krimit, por është skemë e kontrolluar dhe menaxhuar në pakt me Edi Ramën”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga Partia Demokratike, nga ana e deputetit Edi Paloka.

Ai tha se arrestimi i Klement Balilit, është dorëzim i kontrolluar dhe i menaxhuar i “Eskobarit të Ballkanit” në pakt me Edi Ramën.

Sipas Palokës, me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin, “dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge”.

Ai deklaroi se rasti i parë, kur kjo do të provohet, si çdo denoncim tjetër i Partisë Demokratike për lidhjet e Edi Ramës me krimin, do të jetë rasti i Saimir Tahirit.

Paloka tha se për “ish-ministrin e drogës”, i cili e la mandatin e deputetit dhe u vu në mënyrë të kontrolluar në arrest shtëpie, sa për të gënjyer partnerët, po përgatitët lirimi nga akuza kryesore për bashkëpunim në trafikun e drogës.

“Shpërdorimi i detyrës do të jetë akuza më e lehtë për të, sepse Edi Rama kontrollon hetimin. Skema “Tahiri” do të funksionojë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Klement Balili. Prandaj Drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi 5 vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet. Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës. Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës”, u shpreh Paloka.

Ai shtoi se megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës dhe shumicën e tyre pa garë.

Në këtë linjë vijoi duke thënë se pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës dhe se të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është vetëm fasadë dhe se Klement Balili e menaxhon në të vërtetë resortin, me të cilin mban peng Edi Ramën.

“Propaganda nuk do ta ndihmojë Edi Ramën të shesë si sukses skemën e dorëzimit të kontrolluar të Klement Balilit për ta mbrojtur atë, njësoj si Saimir Tahirin. Ky nuk është rasti për të duartrokitur Policinë, por për të kuptuar se Policia, qeveria dhe drejtësia janë, për fat të keq, në duart e një njeriu të vetëm, që ka lidhur fatin e pushtetin të tij me fatin e krimit”, tha në mbyllje Edi Paloka. /a.y/noa.al