Transmetuar më 15-01-2019, 14:21

Avokati i Klement Balilit, Theodhori Sollaku nga ambientet e drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ndodhet i arrestuar, tregoi arsyet se pse dorëzimi ndodhi në këtë moment.

Ai tha se klienti i tij nuk i është shmangur në asnjë moment drejtësisë dhe se drejtësia shqiptare nuk ka kryer asnjë proces procedural ku të kërkohej prania e tij.

“Balili u dorëzua në Sarandë, pa asnjë garanci, përveç asaj ligjore. Dosja është si dy vjet më parë, nuk ka asnjë implikim apo dëshmitar dhe as përgjim. Pretendohet një numër telefoni grek që i atribuohet Balilit. Akuzat janë të dyshimta, do përballemi para gjykatës”, deklaroi Sollaku.

Sipas tij, tani që erdhi letërporosia e plotësuar me akte proceduriale Klement Balili vendosi të dorëzohej.

Pyetjes se pse nuk u dorëzua dy vjet më parë, Sollaku iu përgjigj me fjalët, “Shteti do të paguante ushqimin, fjetjen, do mbante policë për ta ruajtur në burg. Kostoja e një të burgosuri është gati 50 euro. Por kjo është dytësore, jo e rëndësishme”.

Dorëzimi i Klement Balilit, u bë mëngjesin e sotëm rreth orës 08.45 te kthesa e Shijanit, në zonën mes Delvinës dhe Finiqit.

Ai shoqërohej nga kryebashkiaku i Delvinës, Rigels Balili, njëherësh nipi i Klement Balilit dhe një i afërmi tjetër i tij.

Pas transferimit drejt kryeqytetit i shoqëruar nga kryepolici Veliu, Balili u mbajt në ambientet e komisariatit nr.6 në Tiranë, për tu transferuar më tej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Klement Balili akuzohet për veprën penale “Trafik ndërkombëtar droge”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

“Eskobari i Ballkanit” rezultonte në kërkim qysh prej majit të vitit 2016, pas një vendimi të Gjykatës së Athinës, ku ndaj tij u caktua në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në një konferencë për mediat lidhur me arrestimin, tha se Balilit iu garantua siguria e një procesi të drejtë ligjor.

Ai bëri me dije se dorëzimi i Balilit erdhi pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët.

Lidhur me vetëdorëzimin, Lleshaj tha se “Kurrë nuk mund të ketë një dorëzim vullnetar të një personi të kriminalizuar në këtë nivel drejt stacioneve të policisë”. /a.y/noa.al

Meta përshëndet arrestimin e Balilit: Person me probleme serioze me ligjin

Rama: Balili prapa hekurave, përgjigje për të gjithë qentë që lehin

Berisha publikon mesazhin: Vetëdorëzohet Klement Balili

Ministri Lleshaj në konferencë: Klement Balili u arrestua