Transmetuar më 15-01-2019, 21:06

Përfundimi pas hekurave i Klement Balilit, cilësuar si “Eskobari i Ballkanit” për shkak të akuzave për trafik ndërkombëtar droge në sasi të mëdha, është shoqëruar sot me një mori reagimesh për arrestimin apo dorëzimin e tij.

Zyrtarisht Policia e Shtetit tha se e arrestoi Balilin pas një operacioni të sofistikuar, por shtoi se operacioni konkludoi me dorëzimin e tij.

Avokatët e Balilit, deklaruan se klienti i tyre kishte vendosur të dorëzohej dhe bashkë me të, u paraqitën në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë.

Ndërkohë, buja e madhe që mund të shoqëronte këtë ngjarje, u sfumua së tepërmi, pasi pak orë para se të dilte zyrtarisht ministri i Brendshëm, ish kryeministri Sali Berisha njoftoi se Balili ishte vetëdorëzuar.

“Dorëzohet Klement Balili! Qytetari dixhital informon: Vetëdorëzohet Kelment Balili në prokurorinë e krimeve të rënda, ai është nisur drejt Tiranës me Rigels Balilin”, – informoi në rrjete sociale Berisha.

Dhe kjo ishte e vërtetë.

Megjithatë, në sallën e konferencave për shtyp të ministrisë së Brendshme, kreu i dikasterit, Sandër Lleshaj, foli për arrestim.

“Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë. Arrestimi i sotëm është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”, – tha Lleshaj.

Kurse shtoi: “Me gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka operacioni për arrestimin e Klement Balilit, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera me përgjegjësi për sigurinë e vendit dhe për zbatimin e ligjit, e dinë mirë se operacioni vazhdon dhe se forca goditëse e ligjit, gjerësia dhe thellësia e tij do të njohin intensitet të ri edhe me të tjerë që do të shkojnë prapa hekurave”.

Në daljen për media, Lleshaj foli dhe politikisht, kur tha se “balta dhe histeria e politikës me krimin, jo vetëm s’na ndalin, por na motivojnë edhe më shumë”.

Pas Lleshajt, reagoi Berisha: “Donin të mashtronin me Balilin dhe ta paraqisnin si arrestim. Ai nuk pranoi”.

E sakaq, Berisha shkoi më tej: “Po bëhet betejë e madhe për videot e orgjive të Ramës dhe ministrave në Santa Quaranta. Balili nuk dorëzon origjinalin por kopje tek Ardi Veliu. Balili u dorëzua, por Rama dhe ministra janë pengje të tij”, – tha ish-kryeministri.

Ndërsa shefi i qeverisë, Edi Rama, ashtu si Lleshaj, tha se vënia pas hekurave e Balilit ishte një ndër operacionet më të sofistikuara të Policisë së Shtetit. “Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë”, – thotë Rama.

Nga ana tjetër, Rama kritikoi politikanët e opozitës dhe mediat që i mëshuan vetëdorëzimit të Balilit: “Hahaha çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur Balili u ndal tek dera e policisë pas një shëtitje në pedonalen e Delvinës. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij”, – tha z.Rama.

Dorëzimi i Balilit, erdhi pak ditë pasi Greqia solli dosje voluminoze nga hetimet e saj. Prokuroria për Krime të Rënda, i kishte kërkuar autoriteteve përkatëse në Greqi që të sillnin të dhëna nga dosja që ata kishin krijuar për Balilin, nën dyshimet për trafik ndërkombëtar droge.

Greqia i është përgjigjur në fund të muajit dhjetor 2018, përmes një letërporosie, kërkesës së Krimeve të Rënda, e cila këmbënguli t’i dorëzoheshin prova shtesë ndaj 46-vjeçarit. Kjo letërporosi ishte justifikimi kryesor i prokurorisë që në 2018 zgjati 3 herë afatin hetimor për Balilin, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, por që për shkak të dështimit të policisë për ta arrestuar, u quajt nga ish-ambasadori Donald Lu edhe si magjistari.

Nga pala greke mbërritën procesverbale të këqyrjes së ngarkesës së hashashit dhe dëshmitë e dy të dyshuarve si skafistë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj.

Që prej 2016 policia organizoi të paktën 14 aksione për kapjen e Balilit, por në të gjitha rastet dështoi. Në një rast, policia ofroi afro 40 mijë euro ose 5 milionë lekë shpërblim për atë që do të tregonte se ku fshihej Balili, por sërish dështoi.

Sakaq, SHBA vlerësoi Policinë e Shtetit për Balilin: “Ne përgëzojmë Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili”.

Për ambasadën amerikane, “ky shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE”.

Sakaq, SHBA ka dhe një pyetje: “Kush e ka radhën”?