Transmetuar më 16-01-2019, 09:22

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është hedhur paraditen e sotme shorti për të zgjedhur gjyqtaren që do gjykojë Klement Balilin, i akuzuar për trafik droge.

Miljana Muça është gjyqtarja që do të shqyrtojë çështjen e Balilit.

Klement Balili u vetëdorëzua ditën e djeshme në polici, pas negociatave që zgjasnin prej tre muajsh.

Ai u dorëzua nën ndërmjetësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fshatin Stjart të Delvinës.

Në një intervistë televizive i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” ka rrëfyer arsyet që e çuan atë të dorëzohej pas dy vitesh e gjysmë në arrati.

Ai thotë se u arratis deri në përmbylljen e dosjes hetimore në ngarkim të tij kohë të cilën ai nuk ka preferuar ta kalojë në qeli, por në fshehtësi dhe duke i shpëtuar disa operacioneve të policisë, ndër ta edhe të forcave RENEA.

“Pas shpalljes në kërkim për disa akuza, që nga ai moment u fsheha. U fsheha se nuk kishte prova. Drejtësia nuk kishte dokumentet e duhura për mua. Nga ai moment mora një njoftim se ka ardhur dokumentacioni për gjykuar se çështja ime i kalon drejtësisë shqiptare. Nga ky moment unë jam i gatshëm të përgjigjem”, tha Balili. /a.y/noa.al