Transmetuar më 16-01-2019, 13:02

“Politika e mirë në shërbim të paqes, zhvillimit, mirëqenies dhe begatisë është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral, por dhe kombëtar”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga Presidenti Ilir Meta, teksa mori pjesë në

konferencën “Politika e mirë në shërbim të paqes”, me rastin e ditës botërore të paqes.

Në fjalën e tij shtoi se një paqe e sigurt, afatgjatë dhe e qëndrueshme për të cilën ka nevojë shoqëria dhe njerëzimi vjen vetëm atëherë kur të drejtat, liritë, aspiratat, pritshmëritë dhe nevojat e qytetarëve garantohen dhe promovohen vetëm përmes sundimit të shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes.

Sipas tij, mesazhi i Papa Françeskut për ditën botërore të paqes, që i dedikohet pikërisht “politikës së mirë dhe politikanëve ‘shërbëtorë’ të paqes, por që siç tha ai, tingëllon shumë aktual e jashtëzakonisht i domosdoshëm, dhe është një thirrje që meriton të dëgjohet me vëmendje të veçantë.

“Papa Françesku në mesazhin e tij thotë se: ‘Ne e dimë se etja për pushtet me çdo çmim, të çon drejt padrejtësisë dhe abuzimit. Politika është një instrument thelbësor për të ndërtuar institucionet dhe komunitetin njerëzor. Por kur jeta politike nuk shihet si një formë shërbimi ndaj shoqërisë në tërësi, politika mund të kthehet në një mjet shtypjeje, marxhinalizimi, madje edhe shkatërrimi”, deklaroi kreu i shtetit.

Meta tha se së fundmi, një ‘politikë e mirë dhe në shërbim të paqes’ do t’i shërbente çdo angazhimi serioz që do të nxiste të rinjtë të qëndronin në Shqipëri, që do t’i mbështeste aftësitë, potencialet dhe pasionet e tyre për të realizuar ëndrrat në vendin e tyre, do t’u lehtësonte arsimimin dhe përgatitjen profesionale për t’i shërbyer atdheut, familjes dhe paqes së qëndrueshme dhe afatgjatë në vendin tonë të mrekullueshëm.

“Meqenëse jemi në fillim të këtij viti, por edhe të sesionit të ri parlamentar, mbështes plotësisht mesazhin e Imzot Frendos për rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit në interesin më të mirë e kombëtar, jo vetëm midis qeverisë dhe opozitës, por edhe për më shumë dialog kudo, në Kuvend, në shoqëri, në komunitet e në familje. Vetëm kështu do të kemi më shumë paqe dhe begati për të gjithë”, deklaroi Presidenti. /a.y/noa.al